Dënimet e ulëta dhe gjobat vlerësohen të jenë arsyet kryesore që në Kosovë vazhdon të ketë numër të lartë të rasteve të dhunës ndaj grave, por edhe vrasje të tyre.
Tri gra të vdekura dhe mbi 2 mijë raste të dhunës në familje, janë regjistruar vetëm gjatë vitit të kaluar.
Për parandalimin e këtyre rasteve, Arrita Rezniqi nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) thotë se ndërmjet institucioneve të rendit duhet të ketë më shumë bashkëpunim.
“Në vazhdimësi, ne kemi raportuar dhe kemi përmendur raste ku ka dështuar zinxhiri institucional, qoftë në fazën e trajtimit të rastit në polici, qoftë pastaj në fazën e trajtimit në prokurori, apo në fund edhe në gjykatë. Kur them në gjykatë, në vazhdimësi vërejtjet tona më të mëdha kanë pasur të bëjnë me politikën ndëshkimore në këto raste”, tha Rezniqi.
Sipas Rezniqit, rastet me fatalitet janë pikërisht ato që paraprakisht janë raportuar, mirëpo nuk e kanë marrë epilogun e duhur.
Ashpërsim të dënimeve ndaj rasteve të dhunës në familje, por edhe bashkëpunim ndërinstitucional kërkojnë nga Rrjeti i Grave të Kosovës.
“Një prej këtyre formave, përveç infrastrukturës ligjore, fushatave vetëdijesuese është edhe ashpërsimi i dënimeve për rastet e dhunës me bazë gjinore. Ne shpesh kemi parë fatkeqësisht që dënimet për këto raste kanë qenë shumë të ulëta – mbi 80 ose 90 për qind të dënimeve për dhunë janë me gjobë, dënime alternative dhe ka shumë pak dënime me burgim efektiv”, tha Adelinë Berisha nga Rrjeti i Grave të Kosovës.
Po ashtu, Berisha thotë se Policia duhet ta ruajë konfidencialitetin e atyre që raportojnë për dhunë në familje.
Tri vrasjet që ndodhën në 2023 është ajo e Liridona Ademajt në fund të muajit nëntor, vrasja e një gruaje në Pejë për çka dyshohet i biri i saj dhe vrasja e një argjentinase nga partneri i saj në Fushë-Kosovë. /atvlive.tv





