Përgatiti: Nora Luta
Urdhërarresti ndërkombëtar për të dyshuarin kryesor për sulmin terrorist në Banjskë, Milan Radoiçiçit, është aktiv.
Këtë e ka konfirmuar Prokuroria Speciale e Kosovës të premten, kryeprokurori i së cilës, Blerim Isfuaj ka theksuar se hetimet rreth sulmit janë duke i vazhduar në bashkërendim me Policinë e Kosovës.
Për kritikat e ekzekutivit, Isufaj tha se nuk është çështje e kryeministrit ngritja e aktakuzave.
Isufaj në konferencën e fundvitit ka konfirmuar se me miratimin e tij, Radoiçiçit i ishte tërhequr urdhërarresti, por arsyet nuk mund të bëhen publike.
Isufaj i cili është përzgjedhur edhe për një mandat në krye të PSRK-së prezantoi punën e këtij institucioni gjatë këtij viti, ku rreth 59 % e rasteve të PSRK-së përfunduan me aktgjykime fajësuese.
Prokuroria Speciale e Kosovës, juridiksioni i së cilës shtrihet në tërë territorin e vendit, vetëm gjatë muajit dhjetor ngriti disa aktakuza, mesin e tyre ajo ndaj Dejan Pantiq, dhe tre të tjerëve për sulmin ndaj zyrave të KKZ-ve në veri.