Përgatiti: Nora Luta
Kushtetuesja dha dritën e gjelbër për vetingun në sistemin e drejtësisë, megjithatë për të nisur në praktikë ky proces fillimisht amendamentet duhet të miratohen në Kuvend.
Ndryshimi i Kushtetutës, përveç shumicës kërkon edhe votat e 2/3 të deputetëve që i kanë vendet e rezervuara nga komunitetet, në këtë rast ata të Listës Serbe.
Kryetari i Komisionit Ad-hoc parlamentar për zhvillimin e këtij procesi, Adnan Rrustemi, që vjen nga Lëvizja Vetëvendosje, thotë se është një proces sfidues.
Deputetët serbë nuk kishin marrë pjesë as në këtë komision.
Juristët thonë se i takon pushtetit për t’i bindur deputetët e pakicës.
Megjithatë, Rrustemi thotë se nuk ka më argumente për ta penguar këtë proces.
Sipas tij, bazuar në aktgjykimin e Kushtetueses do të nisin punën për hartimin e projektligjit për veting.
Procesi i verifikimit dhe vlerësimit të prokurorëve e gjyqtarëve është konsideruar ndër prioritetet e ekzekutivit për reformën në drejtësi.
Por, Ministria e Drejtësisë pas opinionit të Komisionit të Venecias hoqi dorë nga vetingu i plotë, duke e reduktuar në një veting të pjesshëm që do të përfshijë vetëm udhëheqësit e prokurorive, gjykatave dhe anëtarëve e kryesuesve të Këshillave përkatës.