8.4 C
Pristina
Sunday, April 19, 2026

Pa ujësjellës, 21 fshatra të kryeqytetit

Përgatiti: Sara Shehu

Ndonëse me sipërfaqe është një nga fshatrat më të mëdhenj të Prishtinës, fshati Marec asnjëherë nuk është lidhur në sistemin e ujësjellësit.

200 banorët e këtij fshati, që është rreth 40 kilometra larg nga qendra, ankohen se komuna nuk i ka marrë asnjëherë parasysh kërkesat e tyre.

“Komuna ka pas plan që një pjesë të madhe të fshatrave t’i lidhë me ujësjellës. Kjo s’ka ndodhë në Marec, pasi që ne ende s’kemi kyçje në ujësjellësin publik. Ne iu bëjmë thirrje që të na bëjnë zgjidhje në mënyrë urgjente, të na krijojë lidhje me ujësjellës, ose të na krijojë lidhje të tjera që të na mundësojë ujë të pijshëm. Banorët furnizohen nga puset, disa prej tyre s’kanë mundësi me pasë transport që me ble ujë ndërkohë e pijnë të puseve të hapura e që kjo dëmton shëndetin publik të banorëve. Ai ujë rrjedh nga diga të ndryshme”, tha Dardan Vrajolli, banor i fshatit Marec.

“Disa kafshë kanë ngordhë shkaku i ujit të keq se osht i turbullt, kërkesat s’po merren ma parasysh, jemi lodhë. Edhe lumi është turbullu krejt, s’ka ujë të pastër, s’ka ujësjellës, send s’ka”, tha kryetari i fshatit Marec, Besim Cakolli.

Hiç më e mirë nuk është gjendja as në fshatin Llajshec të Prishtinës.

Në mungesë të ujit të pijshëm, nxënësit e shkollës fillore “Filip Shiroka” detyrohen ta blejnë atë.

“Unë ujin e blej sa herë, sepse këtu në shkollë uji është i dëmshëm, nuk është për ta pirë”, tha Lusira Ramadani, nxënëse.

“Uji oshtë me hidrofor, s’ka as ujësjellës, oshtë një frikë, se uji oshtë i ndotur e nxënësit po duhet me frikë me pi e do tjerë e blejnë e këto pe përdorim për pastrim”, tha drejtori i shkollës “Filip Shiroka” në Llajshec, Jakup Ramadani.

Nga Komuna e Prishtinës përmes një përgjigje me shkrim thanë se kyçja e gjithsej 21 fshatrave në ujësjellës, është përgjegjësi e Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Prishtina”.

“Kyçja e fshatrave në ujësjellësin publik është kompetencë dhe përgjegjësi e Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit të Prishtinës. Ata duhet të bëjnë vendosjen e gypave të ujësjellësit në fshatrat që nuk kanë ujësjellës”, thuhet në përgjigjen e Komunës së Prishtinës.

Por nga KRU “Prishtina” prapa kamerës i thanë ATV-së, se në projektin për t’i lidhur në ujësjellës këto fshatra janë të përfshirë, përveç ujësjellësit, edhe komuna e Prishtinës dhe Ministria, dhe vetëm pas jetësimit të të gjithë projektit, KRU “Prishtina” e merr nën menaxhim.

Përveç Marecit e Llajshecit, fshatrat të tjerë të Prishtinës të cilat nuk kanë qasje në ujësjellës janë Mramori, Grashtica, Butoci, Dragoci, Kukaj, Slivova, Radasheci, Siqeva, Rimanishta, Keqekolla, Prapashtica, Dabisheci, Gllogovica, Gregjeniku, Hajkobilla, Sharbani, Koliqi, Nisheci dhe Ballabani.

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_img
spot_img

LAJME TË TJERA