Përgatiti: Pranvera Krasniqi
Për disa orë, të hënën shtëpizat e tregut të fundvitit ishin pa energji elektrike.
Si pasojë e kësaj, disa nga afaristët u detyruan ta hedhin në mbeturina mallin që kishin planifikuar ta shisnin.
“Krejt çfarë kam pasur është dashur me i hedh, kemi qenë për 6 orë pa energji elektrike…”, tha Shpat Hashani, pronar.
“Prej se jemi vendos ne këtu nuk jemi bërë rehat, asnjëherë me energji elektrike, gjë e cila po ndikon drejtpërsëdrejti në punën tonë, financa, numrin e klientëve e shumë faktorë të tjerë, ndërkohë që pagesat i kemi kryer”, tha Shkëlzen Rugova, pronar.
Mirëpo, KEDS-i, ekipet e të cilëve dolën në terren pasi ATV-ja u interesua për një përgjigje në lidhje me shqetësimin e pronarëve, tha se reduktimet janë si pasojë e mbingarkesës.
“Nuk bëhet fjalë për ndërprerje të energjisë elektrike nga ana e KEDS-it, por për instalime elektrike të brendshme në ato shtëpiza”, tha zëdhënësi i KEDS-it, Lulzim Krasniqi.
Për t’i evituar këto telashe, edhe në kontratën e Komunës së Prishtinës ndërmjet bizneseve pjesëmarrëse të tregut të Vitit të Ri, potencohet se përgatitjet e ushqimeve dhe pijeve duhet të bëhen me anë të lëndës së gazit.
Duke u nisur nga kjo edhe vetë pronarët i bëjnë thirrje njëri-tjetrit që të mos përdorin pajisje që nuk parashihen në kontratë.
“Ata që nuk duan të punojnë le të del inspektorati le t’i kontrollon edhe t’i dënojë kush nuk është ligjshëm le t’i gjobit edhe asgjë askujt, se për të punuar kemi dal t’i shfrytëzojmë këto kohë të mira, pasi klientët nuk vijnë të qëndrojnë në terr”, tha Adnan Sylejmani, pronar.
“Tregu i Fundvitit” është aktivitet i organizuar nga Komuna e Prishtinës, i cili ofron shërbime për qytetarët deri më 8 janar 2024.