Përgatiti: Arton Hamiti
Pjesëtarët e Forcës së Sigurisë rrezikojnë që edhe këtë dimër ta kalojnë me çizme të vjetra. Teksa OSHP-ja, tenderin e hapur në qershor të vitit të kaluar, e ka kthyer dy herë në rivlerësim, Ministria e Mbrojtjes për herën e tretë e rekomandoi fitues operatorin ekonomik “RUNWAY SH.P.K.”
Mirëpo, tenderi për “Furnizim me Çizme Ushtarake” ka përfunduar përsëri në Organin Shqyrtues të Prokurimit.
Grupi i operatorëve “Furkan Rada B.I & OZKAN KUNDURA” që nga Ministria e Mbrojtjes ishte shpallur fitues dy herë, ka paraqitur ankesë.
Kompania ankuese pretendon se buxheti i Kosovës mund të dëmtohet nga vendimi i Autoritetit Kontraktues.
Ministria e Mbrojtjes në anën tjetër i ka mohuar të gjitha këto pretendime.
“Është rekomanduar Operatori Ekonomik më i lirë, sipas kriterit të dhënies “Tenderi i Përgjegjshëm me çmimin më të lirë” dhe i gjithë procesi është realizuar në përputhje me legjislacionin në fuqi”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Mbrojtjes.
Tenderi 2 milionë eurosh, parashihte që brenda 36 muajve ushtarët të pajisjen me 8500 palë çizme verore dhe 8500 palë çizme dimërore.