Raporti vjetor i Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA) ka zbuluar parregullsi dhe dobësi në procesin e pranimit të faturave dhe ekzekutimit të pagesave në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), që udhëhiqej nga Rozeta Hajdari.
Raporti mes tjerash thekson se, në disa raste, faturat janë pranuar dhe protokolluar pa raport të pranimit të punëve apo dokumentacion mbështetës, në kundërshtim me Rregulloren Financiare Nr. 01/2013, e cila kërkon kontroll të plotë të brendshëm dhe verifikim para pagesës.
Ndër rastet e përmendura është kontrata “Ndërtimi i Infrastrukturës në Parkun Industrial 2 – Parku i Përgjithshëm Drenas”, ku një faturë në vlerë 170,284 euro është pranuar pa raport të pranimit të punëve.
“Për kontratën “Ndërtimi i Infrastrukturës në Parkun Industrial 2 – Parku i Përgjithshëm Drenas”, MINT përmes menaxherit të kontratës, me datë 09.12.2025 kishte pranuar dhe protokolluar faturën në vlerë 170,284€ për situacionin IV të punimeve pa raport të pranimit të punëve (fatura ishte raportuar si obligim i papaguar në PFV). Për më tepër, për këtë kontratë MINT më 13.10.2025 kishte pranuar një vendim nga Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit që kërkonte anulimin e kësaj kontrate. Kontrata nuk ishte anuluar pasi MINT kishte ushtruar padi në gjykatën për vendosjen e masës së sigurisë dhe pezullimin e vendimit. Kërkesa e ministrisë për pezullim të ekzekutimit të këtij vendimi (vendosjes së masës së sigurisë), ishte refuzuar edhe nga Gjykata Themelore dhe e Apelit. Kontesti në lidhje me këtë kontratë ende vazhdon deri sa ne jemi në auditim (prill 2026)”.
Po ashtu, në të është përmendur edhe një vendim i Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit që kishte kërkuar anulimin e kontratës, e cila më pas është kontestuar në gjykatë.
Në një rast tjetër, për kontratën “Ndërtimi i infrastrukturës në parkun industrial Opterushë”, një faturë në vlerë 28,057 euro është pranuar pa raport të pranimit të punëve, ndërsa kontrata më vonë është shkëputur njëanshëm. Sipas raportit, operatori ekonomik ka pasur një borxh ndaj ministrisë në vlerë 14,049 euro, ndërsa rasti është në kontest gjyqësor.
“Për kontratën “Ndërtimi i infrastrukturës në parkun industrial Opterushë”, MINT në muajin mars kishte pranuar një faturë prej 28,057€ pa raport të pranimit të punëve nga menaxheri i kontratës dhe kjo faturë ishte prezentuar si obligim në PFV për vitin 2025. Në qershor të vitit 2025 MINT kishte shkëputur njëanshëm kontratën me Operatorin Ekonomik. Në raportin përfundimtar të përpiluar nga MINT për të konstatuar gjendjen lidhur me punët e kryera dhe pagesat e realizuara (përfshirë edhe penalet që ka aplikuar MINT për vonesa) ka rezultuar se OE i ka borxh MINT-it 14,049€. Për këtë kontratë OE kishte bërë padi në gjykatë dhe kemi një kontest të hapur”.
Po ashtu, për kontratën “Ndërtimi i infrastrukturës në parkun industrial në Budrigë”, MINT ka humbur një kontest gjyqësor për shkak të menaxhimit jo të mirë të procesit të pranimit të faturave. Si rezultat, është ekzekutuar pagesa në vlerë 130,177 euro, përfshirë interesin dhe shpenzimet gjyqësore prej 17,951 euro.
“Kontesti gjyqësor për faturën që ndërlidhet me kontratën “Ndërtimi i infrastrukturës në parkun industrial në Budrigë”, në vlerë 112,226€ ishte humbur nga ana e MINT si rezultat i menaxhimit jo të mirë të procesit të pranimit të faturave. Siç është elaboruar edhe në raportin e auditimit të vitit paraprak kontesti i mospagesës së faturës nga MINT ishte kërkesa që OE të ndryshojë datën e faturës pasi që pranimi i punëve ishte bërë nga komisioni pesë muaj pas pranimit të kësaj fature. Për ekzekutimin e pagesës, operatorit ekonomik i është kërkuar të anulojë faturën fillestare dhe të lëshojë një faturë të re vetëm me ndryshimin e datës së faturës. OE kishte refuzuar anulimin e faturës fillestare me arsyetimin se i ka deklaruar librat e shitjes në ATK dhe ka iniciuar procedurë gjyqësore për arkëtim të borxhit. Si pasojë, në mars të vitit 2025 është ekzekutuar pagesa përmes vendimit gjyqësor të kësaj fature në vlerë 130,177€, pra duke paguar shpenzime shtesë të interesit dhe gjykatës në vlerë 17,951€”.
Raporti përmend edhe rastin e kontratës “Vetura me qira”, ku një faturë në vlerë 706 euro është ekzekutuar përmes urdhrit përmbarimor, ndërsa më pas është paguar edhe një herë nga Thesari, pa u kthyer ende mjetet nga operatori ekonomik.
“Për kontratën “Vetura me qira”, përmes urdhër përmbarimor Ministria kishte ekzekutuar pagesën e një fature në vlerë 706€ (përfshirë shpenzimet e interesit). E njëjta faturë ishte ekzekutuar më vonë edhe nga Thesari. Ministria kishte njoftuar Thesarin për këtë rast, por ende nuk ishin ndërmarrë masa për kthim të mjeteve nga operatori ekonomik”.
ZKA konstaton se këto mangësi janë rezultat i mungesës së kontrolleve efektive, protokollimit të faturave pa dokumentacion të plotë dhe komunikimit të dobët ndërmjet departamenteve, gjë që ka shkaktuar kosto shtesë buxhetore dhe konteste të vazhdueshme gjyqësore.
“Këto mangësi kanë rezultuar në kosto shtesë për buxhetin e Ministrisë, konteste në proces si dhe rritje të mundësisë potenciale për konteste të reja gjyqësore me OE”.
Në fund, raporti rekomandon forcimin e kontrolleve të brendshme për të siguruar që faturat të pranohen dhe procedohen vetëm pas verifikimit të plotë të punëve dhe dokumentacionit përkatës, si dhe shmangien e pagesave të gabuara dhe rikthimin e mjeteve të paguara padrejtësisht. /Klankosova.tv





