​Këshilli i Ambasadorëve, Rohde: Qeveria ndonjëherë dëgjon, ndonjëherë jo

“Po i bëjmë thirrje Qeverisë së Kosovës që të bëjë disa gjëra, ndonjëherë dëgjojnë ndonjëherë jo”, ka deklaruar ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde. Ai ka theksuar se Kosova duhet të kryejë detyrat e shtëpisë dhe të ecet përpara në procesin e normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë. Kështu u shpreh ai në diskutimin që u organizua nga Këshilli i Ambasadorëve të Kosovës për 15 vjetët e marrëdhënieve diplomatike të Kosovës me shtete të ndryshme. Kritik u shpreh edhe ambasadori i Francës, Olivier Guerot, i cili tha se çelësi është normalizimi.

Ambasadori gjerman, Jorn Rohde tha se partneriteti mes Kosovës e Gjermanisë është unik, por siç shtoi, Kosova duhet të dëgjojë këshillat e partnerëve të saj.

“Pra, partneriteti ynë është unik, i ngushtë dhe ne jemi një nga partnerët më besnikë do të thosha, por jemi edhe një partner që ndonjëherë dëshiron të dëgjohet. Dhe mendoj se kjo është edhe në këndvështrimin tim kur shoh marrëdhëniet mes Kosovës edhe Gjermanisë, përdore partnerin tënd më të afërt, ke besim tek ai, duhet të kesh vetëbesim, dhe kur shoh, nga pikëpamja gjermane, jo vetëm Kosova por edhe vendet e tjera e përdorin shumë shpesh këtë rolin viktimë që mendoj se viktima nuk është kurrë një rol largpamës. Ju duhet të jeni të sigurt në vetvete, gjithashtu të sigurt në vetvete në kuptimin që duhet të shpenzoni kapitalin tuaj politik me mençuri, dhe me mençuri do të thotë, e dini, Kosova është gjithashtu në një pozitë unike dhe Gjermania dhe Franca u përpoqën ta mbështesin këtë proces për të hyrë në strukturat euroatlantike konkretisht që do të thotë të bëhesh anëtar i Këshillit të Evropës në këtë moment dhe për t’u bërë anëtar duhet të bësh disa gjëra. Dhe publikisht dhe privatisht po i bëjmë thirrje qeverisë së Kosovës që të bëjë disa gjëra, ndonjëherë dëgjojnë ndonjëherë jo, qoftë kjo qeveri apo qeveritë e mëparshme. E kam fjalën si partnerë dypalësh, ne lëshojmë deklarata për vendime të caktuara të Gjykatës Kushtetuese, të cilat mendoj se duhen dëgjuar nëse dëshiron të bëhesh anëtar, duhet të bësh detyrat e shtëpisë”, deklaroi Rohde.

Rohde shtoi se mënyra për të ndryshuar pozicionin e pesë vendeve mos-njohëse është të ecet përpara në procesin e normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë.

“Ju nuk mund t’i ndryshoni parametrat që janë pesë vende mos njohëse për momentin, por ajo që mund të ndryshoni është mënyra se si ata ndryshojnë pozicionin e tyre, dhe mënyra për të ndryshuar pozicionin e tyre është të ecim përpara në procesin e normalizimit, dhe kjo nuk ndodh vetëm duke thënë nëse është e keqe. Ne po punojmë përmes këtij propozimi evropian, i cili fillimisht ishte një iniciativë franko-gjermane, për ta rikthyer këtë proces në rrugën e duhur,… Shikoni, pas dy javësh kemi liberalizimin e vizave… Pra, ishte një proces shumë i vështirë, ne nuk kemi qenë gjithmonë, kemi pasur 27 rreth tryezës dhe nëse Kosova dhe gjashtë vende të tjera do anëtarësoheshin, ne do të ishim 33, kështu tha Olivier, ne duhet të thjeshtojmë procedurat tona të brendshme të vendimit. Por ne ia dolëm dhe të tjerët që janë vetëm në këtë çështje nuk ju ofrojnë liberalizimin e vizave. Pra, është e lehtë të kritikosh mosmarrëveshjet me BE-në”, shtoi Rohde.

Edhe ambasadori i Francës në Kosovë, Olivier Guerot kërkoi që Kosova të angazhohet në normalizim, pasi që sipas tij ky është çelësi.

“Ju duhet të ngriheni në këmbë, të lini vendin tuaj të shkoni në pistën e vallëzimit dhe të sinjalizoni se dëshironi të kërceni. Dhe kjo është ajo që po na mungon nga Kosova tani. Pra, bëni gjërat dhe të gjithë e dini se çfarë është, ose kolegët e dinë saktësisht se çfarë pritet. Bëhet fjalë për asociacionin, depërshkallëzimin, ka gjëra që priten por në një çështje më të përgjithshme tregohet se ju intereson normalizimi, sepse ky është çelësi. Dhe ky është çelësi, një nga çelësat ose shume çelësat për të bindur jo vetëm ne, por edhe pesë shtetet mos njohëse të BE-së. Shkoni dhe kërceni”, deklaroi ai.

Ish-ambasadori i Kosovës në Bruksel, Bernard Nikaj tha se e ardhmja e Kosovës është në Bashkimin Evropian dhe organizatat euroatlantike.

“Në këtë drejtim, Belgjika, por edhe vendet e tjera të Bashkimit Evropian kanë qenë të pazëvendësueshme kur është fjala për përparimin drejt qëllimeve tona përfundimtare në politikën e jashtme, mendoj se nëse në Kosovë mund të pajtohemi për diçka, mbipartiake por edhe shoqërore, është se e ardhmja e Kosovës është në Bashkimin Evropian dhe në organizatat euroatlantike, NATO, Këshillin e Evropës, e kështu me radhë. Ne kurrë nuk biem dakord për mënyrën e duhur për ta bërë atë, por jemi dakord që qëllimi përfundimtar është padyshim aty. Pra, mbështetja bilaterale e Belgjikës, por edhe e vendeve të tjera në realizimin e këtij vullneti ka qenë e domosdoshme që nga ekzistenca e Kosovës si shtet”, u shpreh Nikaj.

Ndërkaq, ish-ambasadori i Kosovës në Uashington, Avni Spahiu foli për marrëdhëniet e Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për çka tha se janë të ruajtura mirë.

“Marrëdhëniet mes dy vendeve janë ruajtur si të mira dhe të veçanta për Kosovën, në pjesën më të madhe secila qeveri e Kosovës ka qenë e mirë në marrëdhëniet e tyre me Shtetet e Bashkuara… Kjo është bindja ime se Kosova gjithmonë mund të dërgojë mesazhe të qarta, duke përfshirë një marrëdhënie më të ngushtë me Shtetet e Bashkuara që do të prodhonte një partneritet edhe më të dobishëm për shtetin e Kosovës. Si ambasadori i parë i Republikës së Kosovës në Uashington, unë personalisht i jam mirënjohës shtetit dhe popullit amerikan dhe ndihem krenar që munda të bëj një ndryshim në ndërtimin e marrëdhënieve miqësore dhe partneritetit të plotë midis dy vendeve gjatë… në Uashington DC”, u shpreh ai.

Në diskutimin për 15 vjetët e marrëdhënieve diplomatike të Kosovës me shtete të ndryshme, kanë marrë pjesë edhe ambasadorë të tjerë të Kosovës në vende të ndryshme. /kp

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_img

LAJME TË TJERA