Me burgim të përjetshëm ishte dënuar Dardan Krivaça, i akuzuar për vrasjen e 18-vjeçares Marigona Osmani, ndërsa Arbër Sejdiu me 15 vjet burgim, për ndihmë në vrasje, vendim ky i shpallur nga Gjykata Themelore në Ferizaj, më 4 gusht të këtij viti.
Mirëpo, ndaj këtij vendimi, është ankuar pala e të akuzuarve, me ç’rast Krivaça dhe Sejdiu, do të dalin edhe njëherë para gjykate, veçse kësaj radhe në Gjykatën e Apelit, në Prishtinë.
Sipas njoftimit të siguruar nga ATV-ja, ballafaqimi i Krivaçës dhe Sejdiut me gjykatën, do të jetë me datë 11 janar 2024, me fillim nga ora 10:00.
“Njoftoheni që me datë 11.01.2024, në ora 10:00 në Gjykatën e Apelit-Pallati I Drejtësisë në Hajvali objekti 11D, është caktuar seanca e kolegjit në çështjen penale kundër të akuzuarit Dardan Krivaça për shkak të veprës penale dhunim nga neni 227 par.4 nënpar.4.1 lidhur me par.1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës dhe veprës penale të bashkëkryerje vrasje e rëndë nga neni 173 par.1 nënpar.1.3 dhe 1.4 të KPRK-së, si dhe kundër të akuzuarit Arbër Sejdiu për shkak të veprës penale ndihmë në kryerjen e dhunimit nga nen 227 ar.4 nënpar.4.1 lidhur me par.1 dhe nenin 33 të KPRK-së dhe e veprës penale të bashkëkryerje vrasje e rëndë nga neni 173 par.1 nënpar.1.3 dhe 1.4 lidhur me nenin 31 të KPRK-së, duke vendosur sipas ankesës së Prokurorisë Themelore në Ferizaj”, thuhet në dokument.
Ndryshe, vendimi ndaj të akuzuarve Krivaça e Sejdiu, u shpall pothuajse 2 vjet pas vrasjes së Marigona Osmanit.
Marigona, 18 vjeçe, u vra më 22 gusht të vitit 2021. Krivaça e Sejdiu e kishin lënë atë pa shenja jete te dyert e spitalit të Ferizajt.
Sipas aktakuzës, Marigona ishte keqtrajtuar për më shumë se 72 orë. Gjykimi për vrasjen e saj filloi më 12 korrik të vitit të shkuar./atvlive.tv/