Përgatiti: Entela Sahiti
E vrarë dhe e varrosur është gjetur 14-vjeçarja, Vanja Gjorçevska, nga Shkupi, e cila më 27 nëntor është raportuar e zhdukur. Fatin si të vajzës e kishte edhe një person tjetër me inicialet P. ZH., 74 vjeç, nga qyteti i Velesit.
Vrasjet e 14-vjeçares dhe 74-vjeçarit, sipas prokurorisë së Maqedonisë së Veriut, i ka kryer banda e njëjtë kriminale, derisa për rastin e vajzës i arrestuar tashmë është edhe babai i saj.
Policia dhe prokuroria maqedonase kanë njoftuar për arrestimin e tre personave të dyshuar për vrasjen e vajzës dhe të personit tjetër, të cilëve edhe iu është caktuar masa e paraburgimit, derisa lidhur me këto raste janë të dyshuar edhe dy persona të tjerë, njëri prej të cilëve, besohet të jetë edhe autori i krimit, e që është arratisur nga Maqedonia e Veriut.
“Personi i pestë, babai i vajzës së mitur, është arrestuar, është marrë në pyetje dhe po ndërmerren masa të tjera nga ana e Prokurorisë Publike… Organizatori kryesor dhe autori i aktit, pasi vrau vajzën me pistoletë, është arratisur”, tha ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski.
Dyshohet se kreu i këtij grupi është Ljupço Palevski, kreu i një partie të vogël pro-ruse në Maqedoninë e Veriut. Ai është shpallur në kërkim dhe dyshohet se menjëherë pas krimit ka udhëtuar drejt Serbisë, më pas në Bullgari dhe tashmë fshihet në Turqi.
Ndërsa, sipas prokurorit Gavril Bubevski, vrasja e të miturës ka ndodhur dy orë pasi është kidnapuar dhe se qëllimi i kidnapimit ka qenë kushtëzimi i nënës së vajzës për të marrë para nga ajo.
“Babai i Vanjës, Aleksandri, ka dhënë informacione për vendet ku ka lëvizur vajza dhe kur ka qenë e vetme. Kidnapuesit nuk kanë arritur të kushtëzojnë nënën për para, pasi vrasjen e vajzës e kanë kryer vetëm dy orë pasi e kanë realizuar rrëmbimin”, tha Bubevski.
Po ashtu, autoritetet kanë bërë të ditur se gjatë hetimeve gjetën edhe trupin e pajetë të një 74-vjeçari nga Velesi, i zhdukur në 24 nëntor, edhe ky i vrarë nga i njëjti grup.
Vrasja e tij nuk ka lidhje me rastin e 14-vjeçares, por dyshohet se ai u vra për t’i marrë makinën me të cilën edhe u rrëmbye vajza e mitur. Makina me të cilën supozohet që është bërë kidnapimi, u gjet e djegur.
Për vrasjen e 14 vjeçares, kishte edhe reagime të motiveve etnike, andaj edhe pati nxitje të urrejtjes ndëretnike dhe kjo bëri që Ministria e Punëve të Brendshme, të njoftojë opinionin se autorët e kësaj ngjarjeje të rëndë janë me përkatësi etnike maqedonase.
Për këtë ngjarje, që ka tronditur opinionin në Maqedoninë e Veriut, prokurori Buvevski tha se do të ketë “dënime të rrepta”, bazuar në Kodin Penal të Maqedonisë së Veriut.
Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në ATV, në videon më poshtë: