Përgatiti: Armand Hoti
Karikatorin e pati të mbushur me tetë fishekë. Me revole, S.J., të martën u nis drejt ndërtesës së Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale. Shënjestër e tij ishte inspektorati.
“Roja ka arritur t’ia marrë gurin për ta evituar rrezikun. Kur roja ia merr gurin ai i ka thënë se ka armë. Realisht është frikësuar roja dhe ai e ka nxjerrë armën… ka filluar me kërcënime, sharje e fyerje dhe ka pyet: “a dalin nga këtu inspektorët e minierave, sepse unë e di tani çfarë bëj”, tha Naim Sejdiu, kryeinspektor në KPMM.
I menjëhershëm ka qenë intervenimi i policisë, duke e arrestuar të dyshuarin dhe duke e dërguar në mbajtje.
“Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, pasi ka ekspozuar një armë-pistoletë dhe ka kryer veprën e lartcekur. Njësitet policore në vendin e ngjarjes gjatë kontrollit të të dyshuarit, kanë gjetur dhe kanë konfiskuar një pistoletë me karikator dhe 8 fishekë. Pas intervistimit, me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Për ta zbardhur rastin, që u cilësua si shkaktim i rrezikut të përgjithshëm dhe posedim i paautorizuar i armës, gjatë ditës hetuesitë policorë morën video-incizimet e kamerave të objektit.
Kryeinspektori Sejdiu thotë se S.J. është bashkëpronar i një kompanie gurëthyesi, që ka aplikuar për licencë për shfrytëzim dhe aktivitete të veçanta, por që nuk e ka marrë aprovimin e KPMM-së.
“Ndërmarrja “Javor – F” sh.p.k me pronar F.J., S.J., Pejë, ka dy kërkesa në KPMM, njëra është licencë për shfrytëzim, ndërsa tjetra është për leje për aktivitete të veçanta. Aplikacioni në KPMM është bërë më 23.01.2020, sipas aktvendimit të Bordit, i është refuzuar kërkesa për licencë shfrytëzimi për arsye që kërkesa ka qenë në kundërshtim me Ligjin për Miniera. Leja për aktivitete të veçanta është në proces, por në mungesë të bordit… por, nëse nuk ka leje të shfrytëzimit nuk e di çfarë i duhet leja për aktivitete të veçanta, ku e merr materialin”, tha Sejdiu.
ATV-ja ka kontaktuar me pronarin e kompanisë në fjalë, Fatlind Javori. Ai mohon se S.J. është bashkëpronar në ndërmarrjen e tij, derisa thotë se në momentin e kërcënimit me armë, i dyshuari ishte në gjendje të rënduar mendore.
“Nuk është as pronar as nuk ka të bëjë me këtë kompani. Ai ka punuar në kompani vetëm diku dy vjet. Ai ka qenë nën ndikim të alkoolit dhe ka probleme psikike. Ka qenë invalid i luftës dhe ka plagë. Ka dëshmi, ia kanë dërguar edhe një avokat, ka pasur terapi te psikiatri dhe nuk e ka aplikuar. I ka ardhur momenti kinse që e kanë ndalë në rrugë me kamion për leje apo diçka. Nuk ka të bëjë asgjë me kompaninë tonë”, thuhet në përgjigjen e pronarit të “JAVORI – F” SH.P.K, Fatlind Javori.
KPMM-ja, sipas kryeinspektorit, nuk ka informata se firma në fjalë ka operuar ilegalisht. Kryeinspektori Sejdiu thotë se zyrtarë të KPMM-së janë kërcënuar nga anëtar të familjes Javori, edhe në vitin 2018.