Përgatiti: Arian Hajdaraj
Pas shkrepjes së kësaj fotografie, sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, iu bashkua në një takim udhëheqësve të katër shteteve anëtare të NATO-s, nga Ballkani Perëndimor.
Stoltenberg bashkë me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, atë maqedonas, Dimitar Kovaçevski, Zoran Millanoviq nga Kroacia dhe kryeministrin e Malit të Zi, Millojko Spajiq, diskutuan gjerë e gjatë për situatën e sigurisë në Ballkan.
Ndonëse, situatën e sigurisë në rajon e vlerësoi të brishtë, Stoltenberg përjashtoi mundësinë e një kërcënimi ushtarak.
“Ky rajon është shumë i rëndësishëm për NATO-n dhe ka arsye për brengosje. Shohim kërcënime për ndarje në Bosnjë e Hercegovinë, gjendje të brishtë të sigurisë në Kosovë dhe ngecje të bisedimeve mes Beogradit dhe Prishtinës. Ndërkaq, shtete autoritare si Rusia po rrezikojnë integritetin demokratik me kërcënime kibernetike”, tha Stoltenberg.
Meqë një ditë më parë në Beograd, shefi i NATO-s kishte kritikuar presidentin e Serbisë për grumbullimin e forcave ushtarake përgjatë kufirit me Kosovën, Edi Rama kishte një propozim.
“Theksova edhe sot, në këtë takim, domosdoshmërinë e rritjes së numrit të forcave të NATO-s në Kosovë dhe domosdoshmërinë për ta garantuar kufirin mes Kosovës dhe Serbisë, i cili faktikisht është jashtë kontrollit dhe i cili në shërbim të aktiviteteve ilegale, të trafikut të armëve, të drogës, të aktiviteteve të cilat më pastaj ngatërrohen edhe me aktivitetin politik, me sfonde ultranacionaliste, që shkakton devijime të rënda, siç ishte devijimi në Banjskë”, tha Rama.
Por, për rrugën drejt paqes, sipas Stoltenbergut, i nevojshëm është themelimi i Asociacionit.
“Dialogu mes Prishtinës dhe Beogradit është thelbësor në rrugën e tyre drejt paqes dhe prosperitetit. Propozimet e fundit për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë mund të jetë hap me rëndësi përpara. Është koha që të kapërcehen konfliktet rajonale”, tha Stoltenberg.
Vizita e Stoltenbergut në Shkup ishte e fundit në kuadër të turneut ballkanik, me ç’rast vizitoi edhe Kosovën.