Përgatiti: Krenare Mulliqi
Pas më shumë se një muaj prej kur ATV-ja raportoi se pesë zyrtarë policorë e fituan rastin në Gjykatë për pagën e 13-të, ky numër është rritur edhe më shumë.
Për 33 ditë edhe 75 zyrtarë policorë të tjerë, i kanë marrë katër paga të 13-ta, pasi fituan në gjykatë rastin kundër Qeverisë.
Madje, që kur Gjykata Supreme iu dha të drejtë policëve në kërkesat e tyre për pagën e 13-të, mbi 1 mijë policë të tjerë kanë ushtruar padi brenda vetëm 1 muaji.
Sipas juristëve, mundësitë janë reale që si rezultat i mendimit juridik të Gjykatës Supreme në favor të tyre, të gjithë policët do t’i marrin paratë për 4 paga të 13-ta.
Opinioni i Supremes u bazua në Udhëzimin Administrativ mbi Marrëdhënien e Punës për vitet 2018-2021.
Vetëm pagat e 13-ta për punonjësit e Policisë së Kosovës do t’i kushtojnë më shumë se 20 milionë euro buxhetit të shtetit.
Zyrtarëve policorë, Gjykata Supreme iu dha të drejtë edhe në pagën jubilare me rastin e pensionimit dhe shtesat sipas përgatitjes shkollore.