Përgatiti: Arton Hamiti
Qeveria i shkeli dy ligje kur i propozoi Kuvendit shkarkimin e një prej anëtarëve të bordit të Organit Shqyrtues të Prokurimit, për shkak të tenderit për Insulina të Ministrisë së Shëndetësisë.
Shkarkimi i Kimete Gashit, u bë pa ndonjë vendim nga gjykata kompetente, siç e kërkon ligji mbi të cilin është krijuar “Gjykata e Tenderëve”.
“Procedura e shkarkimit të anëtarit të fundit del të jetë e pazakontë, ngase as ligji sektorial pra LPP-ja në kuadër të të cilit funksionon OSHP-ja e as ligji që përcakton mënyrë e funksionimit të kësaj agjencie nuk e parashohin një procedurë të tillë të shkarkimit”, tha Dardan Gashi nga Demokraci Plus.
“LPP-ja si ligj themelues nuk ia njeh Qeverisë të drejtën e shkarkimit të anëtareve të KRPP-së ose në këtë rast OSHP-së, me anë të një vendimi, por parasheh që çështjen mund ta dërgojnë në gjykatën kompetente”, tha Ardit Gashi nga Demokracia Plus.
Teksa ligjshmëria e vendimit për shkarkimin e Kimete Gashit, është duke u trajtuar në Gjykatën Kushtetuese, bordi i OSHP-së mbeti me vetëm 3 anëtarë pas dorëheqjes së Agon Ramadanit.
Për shkak të vonesave në trajtimin e ankesave qindra miliona euro kanë mbetur të bllokuara.
Ditë më parë, ATV-ja raportoi se tenderi i Ministrisë së Shëndetësisë për ndërtimin e QKMF-së në Drenas, në vlerë prej 3 milionë eurosh, është duke u trajtuar në OSHP.
Ndryshe, Organi Shqyrtues i Prokurimit kishte mbetur pa bord për një periudhë kohore prej afërsisht 15 muaj. Bordi i ri ishte emëruar nga Kuvendi në qershor të vitit të kaluar.