Përgatiti: Arton Hamiti
Një muaj pasi u pezulluan, punimet për ndërtimin e “Rrugës A” rinisën.
Ndonëse ditë me shi, të martën disa punëtorë të kompanisë së kontraktuar u panë duke punuar, pasi Shkalla e Dytë e Gjykatës Komerciale, ktheu lëndën në rishqyrtim.
Në aktvendimin e Shkallës së Dytë të komerciales të cilin e ka siguruar ATV-ja, thuhet se çështja kthehet në rivendosje për shkak të shkeljeve thelbësore të dispozitave ligjore.
“Kolegji i Gjykatës Komerciale vlerëson se përfundimi dhe qëndrimi i gjykatës së Shkallës së Parë nuk është i drejtë dhe si i tillë nuk mund të pranohet, pasi që aktvendimi i atakuar është i përfshirë në shkelje të dispozitave të procedurës kontestimore. Aktvendimi është i pakuptueshëm, juridikisht i paqartë dhe jo i plotë, kundërthënës me vetveten dhe arsyetimin e tij. Kolegji, pas shqyrtimit të shkresave të lëndës, ka gjetur se palët e interesuara nuk kanë qenë të përfshira dhe nuk iu është dhënë mundësia që të jenë palë për shqyrtimin e çështjes në gjykatë, të cilat bëjnë shkelje esenciale të dispozitave ligjore”, thuhet në Aktvendimin e Gjykatës Komerciale.
Vendimi i fundit i Gjykatës Komerciale u mirëprit nga zyrtarë të komunës së Prishtinës.
Megjithatë, ndalja e punimeve për një muaj sipas nënkryetarit të Prishtinës, Alban Zogajt, do të zgjasë afatin e përfundimit të një prej projekteve më të mëdha të Komunës së Prishtinës.
Vendimi i Shkallës së Parë për pezullimin e punimeve në “Rrugën A” ishte marrë më 17 tetor.
Teksa ishte cilësuar si projekti më i madh i dekadës së fundit në kryeqytet, pjesa e parë e rrugës “Jim Xhema” ishte paraparë të kushtojë 8.4 milionë euro.