Dëshmitari Zijadin Hoxha shpjegon pamjet që i kishte xhiruar gjatë luftës më 1999

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK), në Hagë, edhe të martën po vazhdon dëshminë dëshmitari Zijadin Hoxha në çështjen gjyqësore ndaj Pjetër Shalës, i cili shpjegoi pamjet që i kishte xhiruar gjatë luftës më 1999.

“Më 2 qershor 1999, Latif Fejzullahu u kanë mrena në uzinë. Kjo dhomë ka qenë faktikisht, iu kam tregu edhe më përpara se në këtë dhomë kam flejt edhe unë. Kanë qenë tre shtretër dhe kemi flejt katër veta. Përafërsisht 9 metra apo 10 metra katrorë nuk është ma e madhe. Kjo faktikisht ka qenë pas një dite të lodhshme e të mërzitshme, varrimi i dëshmorit Abdurrahman Gardellaj. Në mbrëmje faktikisht pas një dite të lodhshme dhe të mërzitshme, thotë një fjalë e jona popullore që trimat këndojnë por nuk vajtojnë. Kjo ka qenë hera e parë edhe e fundit (që kemi kënduar)”, tha dëshmitari Hoxha, derisa sqaroi pamjet që iu prezantuan.

Këtë deklarim, Hoxha e bëri kur u pyet nga mbrojtësi i Shalës, avokati Jean-Louis Gilissen, lidhur me pamjet të cilat i kishte xhiruar personalisht gjatë periudhës së luftës në uzinën e metalit në Kukës, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Në një pamje tjetër, dëshmitari tha se shihen Latif Fejzullahu dhe Shefki Abdullahu, ndërsa emri i personit të tretë nuk u dëgjua. Hoxha tha se të gjithë ata që shiheshin në pamje kanë qenë nga logjistika.

Në pyetjet e avokatit, disa herë ndërhynte edhe kryetarja e trupit gjykues, Mappie Veldt-Foglia, e cila pyeti dëshmitarin se çka nënkuptohej me “sanitet”. Lidhur me këtë, dëshmitari tha se ishte dhoma e personelit mjekësor.

Ndërsa, lidhur me uniformat që mbanin motrat medicinale që punonin në uzinën e metalit në Kukës, ai tha se i kanë mbajtur vetëm mantelet e bardha.

“Në kohën kur nuk kanë pas nevojë me intervenu dikun i kanë mbajtë këto uniforma, përndryshe i kanë pas mantelet e bardhë asgjë tjetër për me identifiku diçka”, tha dëshmitari.

Ndërsa, në një pamje të prezantuar në vazhdim, dëshmitari tha se shihej një person me emrin Bedri Azemi. Ndërsa, dhoma në të cilën ishin xhiruar këto pamje, dëshmitari tha se ndodhej në katin përdhesë në objektin ku ka qenë komanda e logjistikës.

Ndryshe, para se të fillojë me marrjen e dëshmitarit në pyetje, gjykatësja Veldt-Foglia udhëzoi avokatin Gilissen që të bëjë pyetje të hapura.

Gjykatësja njoftoi se dje, avokati ka shfrytëzuar 1 orë e një çerek për marrje në pyetje të dëshmitarit, si dhe ka njoftuar se i nevojiten edhe rreth një orë tjetër.

Ndryshe, gjatë muajit shkurt ka filluar gjykimi në këtë rast, ku më 21 shkurt Prokuroria dhe mbrojtja e viktimave kanë paraqitur deklaratat e tyre hyrëse, kurse më 22 shkurt janë dëgjuar deklaratat hyrëse të mbrojtjes së Pjetër Shalës, si dhe deklarata pa betim e tij.

Në mars ka filluar paraqitja e provave të Prokurorisë, ku janë dëgjuar 10 dëshmitarë, kurse në gusht ka filluar paraqitja e provave nga mbrojtësi i viktimave ku janë dëgjuar dy dëshmitarë.

Ndryshe, Pjetër Shala u arrestua më 16 mars 2021, nga autoritetet belge dhe u transferua në Hagë më 15 prill 2021, në bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletëarrestit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.

Në aktakuzën e konfirmuar, Shala ngarkohet me përgjegjësi penale individuale në forma të ndryshme për krime lufte si ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme, të kryera në kontekstin e konfliktit të armatosur në Kosovë dhe në lidhje me këtë konflikt.

“Krimet për të cilat akuzohet z. Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999, kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës (Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, thuhet në komunikatë. /BetimipërDrejtësi

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_imgspot_img
spot_img

LAJME TË TJERA