Përgatiti: Arton Hamiti
Organi Shqyrtues i Prokurimit ka mbetur edhe pa një anëtar të Bordit.
Për arsye personale, siç e ka theksuar në letrën e dorëheqjes, të cilën e ka siguruar ATV-ja, Agon Ramadani, dha dorëheqje nga pozita e anëtarit të Bordit të OSHP-së.
Sipas atyre, që e monitorojnë punën e Organit Shqyrtues të Prokurimit, mungesa e një anëtari të Bordit do të zvarrisë trajtimin e ankesave.
“Dorëheqja e Ramadanit do të ndikojë direkt në zgjatjen e afatit për vendime nga OSHP-ja. Ramadani ka pasur lëndë në shqyrtim, për të cilat tashmë duhet të angazhohet dikush tjetër nga Paneli Shqyrtues për t’i trajtuar. Për fatin e mirë me angazhimin e anëtarit të ri, Isa Hasani, në muajin tetor, OSHP-ja mbetet funksionale, por kjo na jep sinjal se shumë aktivitete të prokurimit, të cilat kanë përfunduar në këtë organ, vendimet për to do të prolongohen shkaku i vonesave në vendimmarrje nga OSHP-ja, pasi numri i ankesave në këtë organ, ka dy muaj që ka kaluar numrin e ankesave të parashtruara me numrin paraprak”, tha Dardan Gashi nga “Democracy Plus”.
Në qershor të vitit të kaluar, Kuvendi pati zgjedhur anëtarë të Bordit – Nita Bejtën, Kimete Gashin, Vedat Peterqojn dhe Agon Ramadanin – dhe kryetaren Vjosa Gradinajn.
Mbi një vit ishin bllokuar qindra miliona euro në institucionet e ndërmarrjeve publike, si pasojë e moszgjedhjes së Bordit të OSHP-së.