Përgatiti: Pranvera Krasniqi
Organizimi i parkingjeve dhe menaxhimi i mbeturinave janë vetëm dy nga pikat e rendit të ditës që pritej të diskutoheshin në Kuvendin Komunal të Prishtinës.
Por, pas shtyrjes së diskutimit për më shumë se një orë, seanca e jashtëzakonshme dështoi.
“Si kryetar i kryeqytetit dhe thirrës i kësaj seance ju kërkoj që ajo të anulohet dhe të gjitha pikat e agjendës të futen në mbledhjen e radhës dhe të merren parasysh sugjerimet e marra në mbledhjen e KPF-së. Respekt Përparim Rama”, tha kryesuesi i Kuvendit Komunal të Prishtinës, Pëllumb Bajqinovci.
Me t’u anuluar seanca pas kërkesës së kryetarit Përparim Rama, filluan kritika të ashpra nga asamblistë të Lëvizjes Vetëvendosje.
“Nuk ka ndodhë deri më tani që të anulohet një mbledhje akoma pa filluar, arsyeja është që mes PDK-LDK ka krisur çështja e kompetencave dhe interesave, këta nuk i kanë numrat dhe tani anuluan seancën”, tha shefi i grupit të asamblistëve të LV-së, Gëzim Sveçla.
Ndërkaq, asamblistë të AKR-së thanë se humbësit më të mëdhenj nga dështimi i seancës janë qytetarët.
“Ai është duke i lënë qytetarët të presin për secilën pikë të rendit të ditës që secila është më e rëndësishme se tjetra, nuk ka qenë i pranishëm në asnjë mbledhje, kjo është papërgjegjësi, është qeverisje diktatoriale”, tha Gëzim Mehmeti, asamblist i AKR-së.
Kjo, ishte hera e parë që një seancë e jashtëzakonshme e Kuvendit Komunal të Prishtinës nuk mbahet.