Përgatiti: Nora Luta
I dënuar dy herë për krime lufte në Kosovë, Zoran Vukotiq u soll nën masa të rrepta të sigurisë, nga Burgu i Sigurisë së Lartë në Pallatin e Drejtësisë të premten.
Ballafaqimin me drejtësinë Vukotiq do ta vazhdojë për një tjetër akuzë për dhunë seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Megjithatë gjatë seancës fillestare që u mbyll për publikun, 53 vjeçari ka mohuar fajësinë. Për të mbrojtur identitetin e viktimës, Prokuroria Speciale kërkoi që i tërë gjykimi të zhvillohet i mbyllur.
Aktakuza e ngritur nga prokurorja speciale Drita Hajdari, e ngarkon Vuktoqin se si pjesëtar i forcave policore të njësisë rezervë të Serbisë ka kryer dhunim seksual ndaj gruas së nacionalitetit shqiptarë gjatë një sulmi të gjerë kundër popullatës civile në vitin 1999.
Sipas aktakuzës së siguruar nga ATV-ja, Vukotiq e kishte goditur viktimën me thikë në pjesë të ndryshme të trupit.
“Viktima mundohet të rezistojë, mirëpo i pandehuri Zoran me thikë e pret në pjesën e poshtme të gjoksit të majtë, sikur edhe nëpër duar. Gjatë
dhunimit, viktima ka pësuar lëndime të rënda fizike dhe psikike të përhershme”, thuhet në aktakuzën e PSRK-së ndaj Zoran Vukotiqit.
Sipas aktakuzës, viktima ishte dhunuar edhe nga tre persona të tjerë, të cilët bashkë me Vukoticin kishin hyrë me forcë në shtëpinë e saj, dhe të njëjtit dyshohet se ia vranë babanë.
“Këta katër persona, me të hyrë në shtëpi, fillimisht kanë filluar ta bastisin shtëpinë dhe pasi kishin gjetur një shishe të plastikës me jod dhe një me alkool, ata i ishin afruar babait të saj, duke i thënë në gjuhën shqipe “ti po i ndihmon UÇK-së”, të cilin njëri prej tyre e kishte goditur me kondak të armës në shpinë dhe e ka rrëzuar në dysheme, përderisa babai i saj i ishte kthyer personit që fliste shqip duke i thënë: “Çka po të bëj ty Zoran, pse po më mëshon”, thuhet më tej në aktakuzën e PSRK-së ndaj Zoran Vukotiqit.
Kjo është aktakuza e pestë ndaj Zoran Vuktoiq, i cili aktualisht është në vuajte të dënimit edhe për një rast tjetër të dhunimit gjatë luftës në Kosovë. Apeli ia rriti dënimin nga dhjetë sa ia kishte shqiptuar gjykata e shkallës së parë në 13 vjet burgim, dhe i njëjti u vërtetua edhe nga Supremja.
Ndërkohë edhe tri raste tjera janë ndaj tij për krime lufte në territorin e Komunës së Vushtrrisë, por të cilat nuk janë gjykuar që kur janë kthyer në rigjykim në vitin 2019.
Vukotiq ishte ekstraduar në Kosovë nga autoritetet e Malit të Zi në vitin 2016, dhe që atëherë ndodhet në Burgun e Sigurisë së Lartë.