A do të takohen Kurti e Vuçiq në Forumin e Paqes, i cili fillon sot në Paris?

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe presidenti serb Aleksandar Vuçiq, po qëndrojnë në Paris, ku sot do të fillojë Forumi i Paqes në Paris, me rastin e Ditës së Armëpushimit të Luftës së Parë Botërore.

Siç mëson ATV, Vuçiq dhe Kurti do të kenë takime të rëndësishme me përfaqësues të vendeve evropiane në margjinat e takimit, të cilat do të jenë sërish një mundësi për t’u thënë atyre se duhet të ndërmarrin hapa drejt normalizimit të marrëdhënieve dhe përmbushjes së detyrimeve nga marrëveshjet e arritura në shkurt dhe mars.

Ende nuk ka ndonjë konfirmim zyrtar nëse do të ketë ndonjë takim mes tyre, apo nëse takimet do t’i zhvillojnë individualisht vetëm e përfaqësues të vendeve të BE-së.

Kryeredaktori i ATV-së, Leart Hoxha, po qëndron në Paris për të përcjellë nga afër ngjarjet që do të zhvillohen në këtë forum, ku gjatë ditës do të ketë edhe lidhje të drejtpërdrejta për të dhënë detaje e fundit që do të pasojnë nga takimet e përfaqësuesve të BE-së me liderët e Kosovës dhe Serbisë.

Ndërkohë, edhe Departamenti Amerikan i Shtetit ka njoftuar se Ndihmës Sekretari për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike James C. O’Brien po ashtu do të marrë pjesë në Forumin e Paqes, ku pritet të takohet me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin.

O’Brien do të zhvillojë takime edhe me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, presidentin e Malit të Zi, Jakov Milatovic dhe kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovachevski.

Ndryshe, ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, të mërkurën doli në një konferencë për media, ku foli për dialogun Kosovë – Serbi dhe çështjen që po shihet si pikë e nxehtë e këtij procesi, formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, për çka tashmë është propozuar një draft statut, që sipas SHBA-së përmbush të gjitha kriteret që i parashohin ata.

Propozimi i zyrtarëve perëndimorë për formim të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, u është prezantuar kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, më 21 tetor nga përfaqësuesit e Shteteve të Bashkuara (SHBA), Bashkimit Evropian (BE), Francës, Gjermanisë dhe Italisë.

Hovenier është pyetur edhe nëse ekzistojnë afate kohore për zbatim të këtij draft-statuti.

Ai ka thënë se duhet vlerësuar angazhimin e madh të zyrtarëve më të lartë të vendeve evropiane për këtë proces, përfshirë kancelarin gjerman, Olaf Scholz, presidentin francez, Emmanuel Macron dhe kryeministren italiane, Giorgia Meloni.

“Ata i përdorin shprehjet ‘urgjente’, ‘sa më shpejt që është e mundur’, e të ngjashme. Ekziston një urgjencë, ka kërkesë që gjërat të lëvizin shpejt. Qeveria e Kosovës nuk ka arsye për të mos ecur përpara me këtë draft-statut. Kryeministri ka thënë se ka gatishmëri që ta pranojë në tërësi, javë më parë. Edhe ne po punojmë që kjo gjë të bëhet në kuadër të strategjisë sonë më të gjerë. Nuk ka të bëjë vetëm me Asociacionin, ka të bëjë me zbatimin e plotë të të gjitha obligimeve që i kanë Kosova dhe Serbia në Marrëveshjen Bazë dhe aneksin e Ohrit. Këtë dëshirojmë ta shohim”, ka thënë mes tjerash Hovenier.

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_imgspot_img
spot_img

LAJME TË TJERA