“Nuk ka autonomi”, ShBA: Kushtetuesja rishikon draft statutin e AKSH-së

Përgatiti: Fatlum Jashari

Shtetet e Bashkuara të Amerikës vlerësojnë se draft-statuti i Asociacioni të Komunave me Shumicë Serbe, që i është prezantuar Qeverisë muajin e kaluar, është në përputhje të plotë me Kushtetutën e Kosovës.

Pasi përmendi përfshirjen e SHBA-së, ambasadori Jeffrey Hovenier tha se fjalën përfundimtare për draft-statutin do të japë Gjykata Kushtetuese e Kosovës.

“Është përgatitur në mënyrë që respekton plotësisht Kushtetutën e Kosovës. Dhe më lejoni t’ju kujtoj qëndrimin e SHBA-së se çfarë duhet të jetë Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe: duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën aktuale të Kosovës, asnjë ndryshim kushtetues nuk duhet të kërkohet; duhet të jetë në pajtim me vendimin e Gjykatës Kushtetuese; nuk duhet të ketë autoritete ekzekutive; nuk duhet të jetë një shtresë e re e qeverisjes; duhet të jetë në përputhje me pikë-vështrimin e dhënë, në Janar, nga këshilltari i Departamentit të Shtetit, Derek Chollet, dhe zëvendës-ndihmës-sekretari Gabriel Escobar. Ne besojmë se ky draft-statut që i është dhënë Qeverisë së Kosovës, i përmbush këto kritere”, tha Hovenier.

Duke folur për afatet kohore dhe rëndësinë e zbatimit, ambasadori iu referua deklaratës së përbashkët të Kancelarit të Gjermanisë, Presidentit të Francës dhe Kryeministres së Italisë.

“Ata përdorin gjuhë si, “urgjente”, “sa më parë të jetë e mundur”, pra ka një urgjencë, ka një dëshirë për ta parë atë të lëvizë shpejt dhe kjo tani është pjesë e bisedave tona me Qeverinë. Nuk ka arsye që Qeveria e Kosovës të mos lëvizë përpara me këtë draft-statut. Kryeministri shprehu gatishmërinë e tij për ta pranuar në tërësi, vetëm disa javë më parë. Ne po punojmë që ta shohim të kryer si një element të strategjisë tonë më të gjerë. Kjo nuk është vetëm për Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Nuk mund të jetë. Është për arritjen zbatim të plotë dhe në tërësi të të gjitha obligimeve të dialogut, nga të dyja, Kosova dhe Serbia. Marrëveshjen bazike dhe shtojcën e Ohrit. Kjo është ajo që duam të shohim”, tha Hovenier.

Komentet për kushtetutshmërinë dhe autonominë për serbët, në kohën kur drafti nuk është publik, ai i quajti të pavenda dhe gati histerike.

“Para së gjithash, jam argëtuar me numrin e njerëzve që kanë interpretuar një draft-statut, të cilin nuk e kanë parë. Ky është një trik mjaft mbresëlënës. Në fund të fundit, ata që nuk e kanë parë statutin nuk kanë as bazë të mjaftueshme që të japin mendime për këtë draft-statut. SHBA-ja beson fuqishëm se Asociacioni i komunave me shumicë serbe duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën aktuale të Kosovës; duhet të jetë në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese; nuk duhet të jetë një shtresë e re e pushtetit; nuk duhet të ketë pushtet ekzekutiv. Nuk e shoh se si mund të keni autonomi në këto rrethana. Nuk keni!”, tha Hovenier.

Ambasadori theksoi se draft-statuti nuk po mbahet sekret, por se diskutimet janë duke u zhvilluar në kushte diskrecioni e konfidencialiteti me qëllim të përparimit, dhe se në kohën e duhur ai do të jetë i qasshëm për publikun.

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_imgspot_img
spot_img

LAJME TË TJERA