Boshllëkun që lanë 500 policët e dorëhequr në Stacionin e Mitrovicës së Veriut, Policia e Kosovës ende nuk e ka mbushur.
Për t’i zëvendësuar, Policia të martën mbrëma hapi një konkurs, i cili vlen vetëm për minoritetet, nga mosha 18 deri në 30 vjeç.
Por, Ministria e Punëve të Brendshme nuk ka treguar se sa është numri i zyrtarëve policorë që do të pranohen. Megjithatë, shprehet e sigurt se momentalisht ka mjaftueshëm kapacitete.
“PK-ja ka kapacitete policore dhe në vazhdimësi veprimet e saj i ndërmerr konform autorizimeve ligjore dhe kushtetuese, konform zhvillimeve dhe vlerësimeve operacionale, me qëllim të ofrimit të sigurisë dhe shërbimit ndaj qytetarëve në të gjitha rastet që paraqiten”, thuhet në përgjigjen e MPB-së.
Angazhimin e policëve të rinj po e konsiderojnë të nevojshëm edhe njohësit e çështjeve të sigurisë. Por, sipas tyre, zëvendësimi i plotë i policëve të dorëhequr, shihet i vështirë pa ndonjë marrëveshje mes palëve.
“Dihet që largimi i policëve të Kosovës është bërë me një marrëveshje politike. Është e qartë se zëvendësimi i tyre nuk mund të bëhet pa ndonjë marrëveshje politike”, tha Avni Islami, doktor i shkencave të sigurisë.
Zëvendësimin e tyre e shohin të nevojshëm edhe politologë që jetojnë në Mitrovicë.
“Mungesa e policëve në atë pjesë paraqet rrezik për sigurinë dhe stabilitetin në Mitrovicën e veriut”, tha Abdullah Sadiku, politolog.
Në fakt, Policia e kishte hapur edhe një konkurs në muajin shkurt, por për të aplikuan vetëm 136 syresh. Ata, në mesin e muajit mars iu nënshtruan testimeve fizike, por nuk dihet se sa prej tyre kanë arritur të pranohen. /atvlive.tv