21.8 C
Pristina
E mërkurë, 25 Shtator, 2024

Sveçla: Policët që protestuan sot këtë vit morën nga 2.200 euro në muaj

Ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla ka reaguar pas protestës së Njësisë Speciale Intervenuese (NJSI) për ndryshim të kategorizimit të vendeve të punës dhe shtesa më të mëdha të rrezikshmërisë.

Ai në një postim në Facebook, ka shkruar se Njësitë Speciale kanë pasur dhe vazhdojnë të kenë mbështetjen më të madhe si në aspektin financiar ashtu edhe me ngritjen në strukturë.

“Nga marrja e mandatit, deri në votimin e buxhetit për vitin 2024, kemi rritje për mbi 30% në buxhetin total të Policisë, përderisa, në investimet kapitale kemi rritje për 300%. Nga viti 2021, buxheti për pajisje operacionale është 21-fishuar. Në vitin 2021, buxheti ka qenë më pak se gjysmë milioni për pajisje operacionale ndërsa këtë vit është mbi 9 milionë euro”, ka shkruar Sveçla.

Për më tepër, Sveçla ka bërë të ditur se të ardhurat mesatare mujore gjatë këtij viti të zyrtarëve që protestuan sot janë mbi 2.200 euro.

“Angazhimi ynë për shtet dhe forcim të tij do të jetë i pakursyer dhe i pandalshëm me të gjithë ata të cilët përkundër sfidave e kanë vullnetin. Unë falënderoj edhe njëherë të gjithë zyrtarët e Ministrisë së Punëve të Brendshme e veçanërisht të Policisë së Kosovës për angazhimin dhe sakrificën drejt një shteti të drejtë dhe prosperues”, ka thënë ai.

Ndryshe, sot është mbajtur protesta e Njësisë Speciale Intervenuese (NJSI). Një nga pjesëtarët e kësaj njësie ka deklaruar para mediave se nuk lejojnë të përdoren politikisht nga politika. Në emër të grupit protestues, ai tha se kërkojnë rishikimin e vendimit për shtesat e rrezikshmërisë për këtë kategori.

Po ashtu, bëri të ditur se nuk do të ndalen së kundërshtuari dhe se do të ndërmarrin edhe masa të tjera.

Kohë më pare kryeministri Albin Kurti ka prezantuar shtesat për pjesëtarët e Policisë së Kosovës. Ai ka thënë se në këtë propozim përfshihen gjithsej shtatë kategori të pozitave në polici. Sipas tij, deri më tani ka pasur pabarazi në mesin e policëve.

Kurti shtoi se shtesat për rrezikshmëri do të fillojnë së aplikuari nga paga e muajit nëntor.

Shefi i ekzekutivit, Albin Kurti tha se pas shqyrtimeve dhe analizave që kanë bërë me ministritë përkatëse, kanë hartuar propozimet për shtesat e qeverisë për pjesëtarët e Policisë së Kosovës.

Shtesat për njësitë elitare të Policisë së Kosovës:

Njësia speciale intervenuese – 150 euro

Njësia për ndërhyrje të shpejtë – 150 euro

Njësia për mbrojte të afër – 150 euro

Njësitë speciale operative K9 – 120 euro

Njësinë për eksplozivët dhe deminim – 120 euro

Pjesëtarët e patrullave kufitare – 100 euro

Pjesëtarët e hetuesisë – 75 euro

Ekipet reaguese dhe patrullat – 60 euro

Policët në sigurim të objekteve – 50 euro

Policët në menaxhim të operacioneve 50-45 euro.

Postimi i plotë i ministrit Sveçla:

Republika e Kosovës është vend i varfër dhe me buxhetin më të vogël në Evropë. Por, Republika e Kosovës është e themeluar mbi sakrificën e luftës për liri, me akte heroike dhe humbje në njerëz. Mbrojtësit e Republikës sot janë njerëzit më të vlerësuar prej popullit të Kosovës.

Kërkesat janë të shumta dhe ka kategori shoqërore të cilat kanë shumë vështirësi përgjatë jetesës së tyre.

Si Ministri e Punëve të Brendshme, nga 9 agjenci ekzekutive, Policia e Kosovës ka pasur mbështetje dhe fokus të veçantë me qëllim të mobilizimit në luftimin e krimit, kontrabandës, mbrojtjen e integritetit territorial dhe sovranitetit. Nga vetë Policia e Kosovës, Njësitë Speciale kanë pasur dhe vazhdojnë të kenë mbështetjen më të madhe si në aspektin financiar ashtu edhe me ngritjen në strukturë.

Me marrjen e mandatit, pjesëtarët e Njësive Speciale të Policisë së Kosovës i kemi gjetur pa uniforma, pa pajisje mbrojtëse për jetën e tyre, pa kushte të punës e me ushqim të mangët e jo cilësor.

Nga marrja e mandatit, deri në votimin e buxhetit për vitin 2024, kemi rritje për mbi 30% në buxhetin total të Policisë, përderisa, në investimet kapitale kemi rritje për 300%. Nga viti 2021, buxheti për pajisje operacionale është 21-fishuar. Në vitin 2021, buxheti ka qenë më pak se gjysmë milioni për pajisje operacionale ndërsa këtë vit është mbi 9 milionë euro.

Për ne, ka qenë gjithmonë synim përmirësimi i kushteve të punës, sigurimi i pajisjeve që mbrojnë jetën e zyrtarit policor si dhe trajtimi dinjitoz e i drejtë i tyre, teksa për dallim nga kohërat e mëhershme, kur kompensimet për angazhimet shtesë nuk janë zbatuar fare, ne kemi kompensuar ato pa vonesa. Të ardhurat mesatare mujore gjatë këtij viti të zyrtarëve që protestuan sot janë mbi 2.200 euro.

Angazhimi ynë për shtet dhe forcim të tij do të jetë i pakursyer dhe i pandalshëm me të gjithë ata të cilët përkundër sfidave e kanë vullnetin.

Unë falënderoj edhe njëherë të gjithë zyrtarët e Ministrisë së Punëve të Brendshme e veçanërisht të Policisë së Kosovës për angazhimin dhe sakrificën drejt një shteti të drejtë dhe prosperues.

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_imgspot_img
spot_img

LAJME TË TJERA