14.7 C
Pristina
E mërkurë, 25 Shtator, 2024

“Trepça” e humbjeve, e mosmarrëveshjeve, dorëheqjeve dhe shkarkimeve

Përgatiti: Armand Hoti

Greva e minatorëve të minierës së ‘’Trepçës’’ në Stan Tërg, që filloi një javë më parë, i ka kushtuar ndërmarrjes rreth 350 mijë euro.

Ndërkohë, sot menaxhmenti i ndërmarrjes ‘’Trepça’’ mori vendim për suspendimin e përkohshëm nga puna të kryesindikalistit Ibrahim Januzi, bashkë me katër grevistë të tjerë.

Sipas vendimit të menaxhmentit të ‘’Trepçës’’, të suspenduarit kanë rrezikuar shëndetin, sigurinë dhe jetën e minatorëve.

Por pavarësisht penalizimit, Januzi shprehet i vendosur se punëtorët e nëndheshëm të Kosovës do të vazhdojnë të mbajnë grevë deri në realizimin e kërkesave të tyre, teksa suspendimin e grevistëve e vlerëson si hakmarrje.

“Është një gjendje e rëndë të cilën s’e kemi dëshiru, pasi këta punëtorë po vazhdojnë të bartin pasoja shëndetësore… Na vjen shumë keq, sepse të krijosh humbje në këtë situatë është e rëndë edhe për neve, por nëse do të kishin reflektuar edhe menaxhmenti, edhe Ministria, edhe Qeveria nuk do vinim në këtë situatë”, tha Januzi.

Si rezultat i mospajtimeve me Bordin e ri Mbikëqyrës të ndërmarrjes, të premten, ushtruesi i detyrës së drejtorit të Njësisë Biznesore ‘’Trepça’’, Bujar Jashari, dha dorëheqje nga posti që mbante.

Po atë ditë, Bordi Mbikëqyrës mori vendim që këtë pozitë ta marrë Bahri Karaqa, i cili ka lidhje familjare me deputetin e Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja.

Por, drejtori Karaqa thotë se emërimi i tij nuk ndërlidhet me afërsinë që ai ka me deputetin.

“Mua më kanë lutur edhe më herët. Kjo nuk është e vërtetë”, tha Karaqa.

Sipas tij, greva e filluar shtatë ditë më parë do t’i kushtojë ndërmarrjes, po ashtu punëtorëve.

“Kjo na kushton vetëm neve punëtorëve… Kur i shikon hyrje-daljet, kur nuk punon nuk ke se çfarë të marrësh”, tha Karaqa.

Ndërkaq, ai përmend nevojën për investime kapitale serioze që do të mundësonin një operim më efikas dhe fitimprurës të minierës dhe flotacionit, derisa shpresat i mban në 20 milionë eurot e Qeverisë, hua, e cila është miratuar në parim nga Qeveria në shkurt të këtij viti.

Rreth një muaj më parë, respektivisht më 28 shtator, Qeveria e Kosovës shkarkoi Bordin Mbikëqyrës të ndërmarrjes, duke emëruar një Bord të ri të formuar nga katër anëtarë.

Në bordin e ri mbikëqyrës, punëtorët, që janë pronarë të 20 për qind të aksioneve të ndërmarrjes, nuk e kanë përfaqësuesin e tyre.

Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në ATV, në videon më poshtë:

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_imgspot_img
spot_img

LAJME TË TJERA