16.2 C
Pristina
E martë, 24 Shtator, 2024

Modelet e propozuara të asociacionit karshi kushtetutës

Përgatiti: Fatlum Jashari

Bashkimi Evropian ka konfirmuar se ka një propozim “model modern evropian” për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, apo formën e vetëmenaxhimit të komunitetit serb, që është në tavolinën e dialogut Kosovë – Serbi.

Për diskutim, jo-zyrtarisht, si opsione janë përmendur modeli i komunitetit suedez në Finlandë dhe ai komunave me shumicë gjermane në Belgjikë.

Kushtetuta e Finlandës njeh suedishten si gjuhë zyrtare në institucione.

Po ashtu, suedezëve në Finlandë u takon e drejta e marrjes së shërbimeve në gjuhën e tyre – krahas aspekteve të tjera edukative e kulturore.

“Modelin finlandez, të cilin e përmendët, pozita e suedezëve, më shumë i ofrohet modelit kulturor, sepse garantohen më shumë të drejtat në arsim, në shëndetësi, të drejtat në mbrojtjen e identitetit kulturor”, tha profesori Arsim Bajrami.

Shumë më i strukturuar dhe i organizuar është modeli i komunave gjermane në Belgjikë, që pos organeve ekzekutive e legjislative, ka një territor kompakt të koncentruar në rajonin lindor dhe buxhet të veçantë.

“Modeli gjerman në Belgjikën lindore i cili përfshin 11 komuna, është më tepër model territorial, sepse ngërthen në vete një status bukur të avancuar, në një territor që janë 11 komuna. 11 komuna që kufizohen me Luksemburgun, Holandën dhe Gjermaninë dhe të cilat kanë një strukturë të veten. Kanë një qeveri, kanë një parlament, kanë një ministër-president që në fakt është përfaqësues”, tha Bajrami.

Komuniteti gjermanfolës në Belgjikë ka një ministër president, përgjegjës për autoritetet lokale dhe financat; një zëvendësministër president për shëndetësi, çështje sociale, zhvillim rajonal dhe çështje të banimit; një ministër për kulturë, sport, punësim dhe media; si dhe një ministër për edukim dhe shkencë.

Parlamenti me 25 anëtarë, ka presidentin, byronë dhe byronë e zgjeruar që kanë funksione organizative dhe përgatitore, si dhe anëtarët me funksion këshillues.

Ky organizim ka administratën, si dhe ombudspersonin ose avokatin e popullit.

Krahas vlerësimit se Kushtetuta e Kosovës i tejkalon në këto modele, në raport me të drejtat e pakicave, hartuesi i saj, profesori Arsim Bajrami, theksoi nevojën për këmbëngulje në klauzolën e vlerësimit paraprak nga Gjykata Kushtetuese.

Krahas çfarëdo modeli që eventualisht mund të pranohet dhe themelohet, profesori Bajrami, po ashtu, theksoi nevojën për adaptimin e legjislacionit shtesë për të siguruar kontroll permanent dhe intervenim, për të mos lejuar Asociacionin të dalë jashtë rendit kushtetues.

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_imgspot_img
spot_img

LAJME TË TJERA