Përgatiti: Benita Zeneli
Ishin të parapara dy seanca, fillimisht ajo plenare në të cilën për shqyrtim ishin disa projektligje të mbetura nga e kaluara, por edhe një seancë tjetër e jashtëzakonshme.
Derisa punimet e seancës së parë nisën të zgjasin më shumë sesa ishte paraparë, AAK-ja kërkoi që ato të ndërpriten dhe të vazhdohej me seancën e jashtëzakonshme.
Kërkesën e deputetit Tahiri e kundërshtoi grupi parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje, por përkrahje i dha kryetari i Kuvendit Glauk Konjufca.
Mirëpo, me të filluar seanca e jashtëzakonshme, e thirrur nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, për debat parlamentar, në lidhje me nevojën për ngritjen e koeficientit të pagave në sektorin publik, deputetët e pushtetit lëshuan sallën, përveç deputetëve Eman Rrahmani e Visar Korenica.
Ndërkohë, në seancën plenare u arrit të votohen disa projektligje.
U miratua në parim projektligji për artin dhe kulturën, ligji për plotësim-ndryshimin e kodit të procedurës penale dhe atij të Kodit Penal.