Përgatiti: Donisa Fazliu
Çdo ditë kalon në anën tjetër të Liqenit artificial të Mitrovicës, ani pse përballet me rrezik. Akoma më të vështirë e ka, kur moti është i lig.
“Është rrezik me kaluar nga kjo pjesë, për fëmijë është më rrezik, për shkak që mund të rrëzohen dhe të bien në ujë, më bjen çdo ditë me kalu në këtë pjesë dhe është rrezik”, tha Ibrahim Peci, qytetar.
Por, nuk është i vetmi që kalon çdo ditë këtë urë.
“Kjo urë është e nevojshme për të përfunduar, për moshatarë, për shkak që po duhet të ecim kilometra më shumë, nuk e di ku është problemi pse janë ndërprerë këto punime, me rregullu këtë urë është mirë për shkak që po duhet të kalojmë mbi hekura”, tha Avni Sejdijaj, qytetar.
“Unë shpesh vij në këtë pjesë, por që më duhet mu kthy me ecë më shumë për shkak që është rrezik, e po duhet që të ecim rreth e rrotull, e këtu punët i fillojnë, por që nuk i përfundojnë me kohë”, tha Selim Putoku, qytetar.
Derisa qytetarët janë lodhur nga pritja, Drejtori i Infrastrukturës në komunën e Mitrovicës ka premtuar se ura mbi liqenin artificial do të duhej përfunduar deri në fund të vitit.
“Punimet janë ndalur përkohësisht, derisa jemi pajisur me pëlqim nga departamenti ujor, pra nga ministria, presim që ura të përfundojë në një afat kohor brenda këtij viti, do të mundohemi që punimet të përfundojnë sa më shpejtë, pasi që tani kushtet atmosferike fillojnë të ndryshojnë”, tha drejtori i infrastrukturës në Mitrovicë, Granit Tmava.
Punimet në urën mbi Liqenin Artificial në Mitrovicë, kanë filluar vitin e kaluar, derisa projekti kushton rreth 220 mijë euro dhe është financuar nga Komuna e Mitrovicës, në bashkëpunim me Ministrinë e Zhvillimit Rajonal.