Përgatiti: Sara Shehu
“Më të forta se frika” është motoja e organizimit të radhës, në kuadër të aktiviteteve sensibilizuese për parandalimin dhe luftimin e kancerit të gjirit.
Drejtoresha e organizatës “Have Hope Kosova” tha se mbetet ende shqetësues fakti që gratë interesohen për mamografi vetëm gjatë muajit tetor.
“Realisht gratë interesohen më shumë për mamografi gjatë muajit rozë, por ne fushata vetëdijesuese kemi bërë e vazhdojmë të bëjmë në të gjithë muajt, për rritjen e vetëdijesimit që gratë t’i kushtojnë vëmendje më shumë kontrolleve të mjekut, sesa një grimi në përditshmëri, andaj interesimi duhet të rritet edhe muajve të tjerë”, tha Arnisa Osmani nga OJQ “Have Hope Kosova”.
Ndërsa, duke bërë thirrje për kujdes, anëtarja e bordit të kësaj organizate, Saranda Bujupi-Ramaj, tha se këtë vit aktiviteti është organizuar për gratë që vdiqën nga kanceri në gji.
“Ne mendojmë për përkrahjen e grave me kancer, por këtë vit po i kujtojmë më shumë edhe ato gra që vdiqën nga kjo sëmundje. Mbështesim gratë të cilat po luftojnë, u bëjmë thirrje pa masë që të mos anashkalohen kontrollet”, tha Saranda Bujupi-Ramaj, anëtare e OJQ “Have Hope Kosova”.
Derisa në Klinikën e Onkologjisë në QKU, për shtatë muaj janë regjistruar mbi 270 raste me kancer të gjirit, nga 1 tetori, institucionet e vendit dhe organizata të ndryshme joqeveritare, kanë realizuar aktivitete të ndryshme vetëdijesuese për këtë sëmundje.