8.7 C
Pristina
E hënë, 23 Shtator, 2024

Kosova në pritje të raportit të ekspertëve të Këshillit të Evropës

Përgatiti: Fatlum Jashari

Kosova është në pritje të përmbylljes së raportit fillestar nga ana e Këshillit të Evropës, që do të derivojë nga vizita e ekspertëve ligjorë të kësaj organizate në Prishtinë, në fund të muajit të kaluar.

Pa dhënë një afat të prerë për finalizimin e raportit, në një përgjigje për ATV-në, Këshilli i Evropës konfirmoi se së shpejti raportuesja Dora Bakoyannis, do të zhvillojë një vizitë në Kosovë – lidhur me procesin e anëtarësimit.

“Raporti i juristëve eminentë do të shqyrtohet nga Byroja e Asamblesë në kohën e duhur, pas procedurave të zakonshme, dhe në fund do të bëhet publik. Sa i përket vizitës së raportueses, ajo duhet të zhvillohet në javët në vijim”, thuhet në përgjigjen nga Këshilli i Evropës.

Drejtori i IKD-së, Ehat Miftaraj, i cili mori pjesë në diskutimet me ekspertët e Këshillit, tha se, në plan të parë, pritet një vlerësim i përputhshmërisë së legjislacionit me konventën për të drejtat e njeriut dhe liritë e njeriut, si dhe me nivelin praktik të zbatimit.

“Primare është analiza, vlerësimi i kornizës ligjore në Kosovë, nëse Kushtetuta, ligjet përcjellëse janë në harmoni me praktikat, standardet që i promovojnë të drejtat dhe liritë e njeriut. Në këtë drejtim nuk ka dyshim që Kosova i ka, jo vetëm në harmoni, por ka diskriminim pozitiv, të të drejtave dhe lirive të njeriut, të komuniteteve apo grupeve të margjinalizuara, që në këtë pjesë është kampion dhe ndoshta është më e zhvilluar se shtetet e Bashkimit Evropian”, tha Miftaraj.

Miftaraj nuk e përjashtoi mundësinë që ekspertët të kenë përfshirë në raport edhe moszbatimin e disa prej vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, si dhe mosmiratimin e Projekt-Kodit Civil.
“Është fakt që ky grup punues në nivel teknik mund t’i identifikojë këto si mangësi, sepse në një shtet që aspiron bëhet pjesë e Këshillit të Evropës, ose që aspiron të bëhet pjesë e BE-së, nuk ka logjikë që të mos zbatohen vendimet e Gjykatës Kushtetuese dhe në rastet kur ka kontekst politik, në këtë rast raportet Kosovë-Serbi. Kështu që e përsëris dua të besoj që, mund të japin vërejtje grupi teknik, por do të japin dritë jeshile për të vazhduar në nivelin politik”, tha Miftaraj.

Ai theksoi se në një fazë të mëvonshme, kur përfshihet niveli politik dhe shtetet anëtare, mund të priten kushtëzime të caktuara në raport me legjislacionin apo zbatueshmërinë e vendimeve të gjykatave.

Në maj të vitit 2022, Kosova aplikoi për anëtarësim në Këshillin e Evropës, ndërsa në prill të këtij viti e përmbylli fazën e parë të procesit, nga tri gjithsej.

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_imgspot_img
spot_img

LAJME TË TJERA