Katër vjet pas shpalljes së pavarësisë, Kosova nisi një proces tjetër të rëndësishëm.
Në janar të 2012-tës, Komisioni Evropian nisi edhe zyrtarisht dialogun me Kosovën për procesin e liberalizimit të vizave. Kjo u konfirmua nga komisionerja për Çështje të Brendshme, Sesilia Malmstrom, pas një takimi që zhvilloi me kryeministrin e atëhershëm të Kosovës, Hashim Thaçi, në Prishtinë.
“Ajo që sot po bëjmë, është të jemi këtu dhe të konfirmojmë se kushtet për nisjen e dialogut janë përmbushur”, pati thënë Malmström.
Nga Hashim Thaçi, kryeministër në atë kohë, kjo ditë ishte quajtur si ditë e bekuar për Kosovën.
Megjithatë, ky vendim ishte politik, kurse kushtet e tjera u tha se ndërlidhen edhe me çështje teknike dhe ato legjislative.
Gjatë këtyre viteve, politikanët festuan shumë herë. Madje, me bindje qytetarët edhe u uruan për liberalizim.
Kështu ndodhi edhe kur më 4 maj 2016, Komisioni Evropian konfirmoi se Kosova i ka plotësuar kriteret për liberalizimin e vizave.
“Urime juve si qytetare se na si zyrtar dhe ministra këna pas viza gjithë… ky është një moment historik… nesër nuk mund të lëvizim por Brenda pak jave do të lëvizim lirshëm”, kishte thënë ish- ministri i Integrimeve Evropiane, Bekim Qollaku.
Ish-ministri i integrimeve evropiane nuk ishte i vetmi që liberalizimin e mori si punë të kryer.
“ Ky është një konfirmim i madh për qytetaret optimist të Kosovës…”, ishte shprehur ish-kryeministri Isa Mustafa.
“ Lajmin për liberalizim mund ta marrim është çështje javësh, çështje nuk besoj që ka me shku në pakufi”, pat thënë ish-kryeministri Ramush Haradinaj.
“ Jemi optimist që qytetaret e republikës do të lëvizin lirshëm brenda vitit 2018”, kishte thënë ish-ministrja, Dhurata Hoxha.
Por, nga njohës të fushës, rasti i vetëm kur Kosova ishte afër liberalizimit përmendet viti 2016.
“Mundësia më e mirë dhe e vetme për liberalizim të vizave ka qenë në vitin 2016, kur u propozua fillimisht liberalizimi i vizave për Kosovën nën dy kushte e para që të ratifikohet demarkacioni me Malin e Zi edhe të bëhet progres në luftë kundër korrupsionit, krimit të organizuar”, kishte thënë Demush Shasha nga Instituti “EPIK”.
Derisa, liberalizimi nuk po jetësohej, qytetarë prisnin para ambasadave e disa të tjerë, zgjidhnin rrugët ilegale.
Në vitin 2018, kur Komisioni Evropian rekomandoi lëvizjen e lirë, numri i emigrantëve kosovarë për një vit kishte shkuar mbi 28 mijë, e gati 35 mijë kosovarë e kishin braktisur vendin në 2019-n.
Premtimet ndërkombëtare për vizat u kthyen edhe një herë, duke u theksuar se liberalizimi tashmë ishte proces i vonuar.
Kështu, në nëntor të vitit të kaluar, ambasadorët e shteteve anëtare të Bashkimit Evropian u pajtuan për liberalizimin e vizave për shtetasit e Kosovës. /atvlive.tv