Përgatiti: Armand Hoti
Politikanë, përfaqësues të institucioneve, ekonomistë dhe ekspertë u bënë bashkë për t’i ndarë qëndrimet lidhur me Projektligjin për Fondin Sovran. Në këtë fond synohet t’u barten asetet e rëndësishme publike, shtetit.
Kryetari i Komisionit për Ekonomi, Ferat Shala, u shpreh se projektligji përmban paqartësi në nene të caktuara.
“Neni 19, kapitali themeltar 20 milionë euro. Cilat ndërmarrje mund të rivitalizohen me 20 euro? Por vetëm javën e kaluar 15 milionë euro iu dhanë postës pa e ditur ku po shkojnë”, tha Shala.
Ndërkohë, deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hikmete Bajrami, nuk pret që themelimi i Fondit Sovran të prodhojë rezultate në favor të ekonomisë.
“Nuk mund të jap komente duke thënë se Ligji mund të përmirësohet përmes përmirësimit të disa neneve në të. Thjesht kjo është një ide në të cilën aspak nuk besojmë”, tha Bajrami.
Duke iu referuar projektligjit, Arian Zeka nga Oda Ekonomike Amerikane shprehu shqetësimin e tij lidhur me mënyrën e financimit të Fondit.
“Do t’i përmend disa prej shqetësimeve tona, që lidhen kryesisht me mënyrën se si do të financohet Fondi Sovran. Kosova ka burime të kufizuara financiare. Nën një: burimet e kufizuar financiare, nën dy: mungesa e ekspertizës financiare janë një dëshmi që një numër i madh i agjencive të pavarura të vendit, sot e kësaj dite, vazhdojnë të kenë ushtrues detyre dhe të mos plotësohen me pozita. Kemi shqetësimin që një gjë e tillë mund ta karakterizojë edhe Fondin”, tha Zeka.
Megjithatë, kritikave e komenteve iu përgjigj zëvendësministri i Ekonomisë, Getoar Mjeku, njëherësh anëtar i grupit punues për hartimin e tij.
“Qëllimi i Fondit Sovran është thjesht që të sjellë një mendësi të re në qeverisje e ndërmarrjeve publike në menaxhimin e aseteve e pasurive të rëndësishme shtetërore, edhe ta kemi një mekanizëm profesionist të papolitizuar që ndodh në zhvillimin e vendit. Fondi Sovran nuk është mekanizëm financues për qeverinë e Kosovës, Fondi Sovran është mekanizëm financues për zhvillimin e vendit. Ka rregulla shumë të qarta të cilat duhet t’i keni parasysh”, tha Mjeku.
Në korrik të këtij viti, Projektligji për Fondin Sovran kaloi në parim në Kuvend me 61 vota për.
Mes tjerash, ndërmarrjet publike që pritet t’i barten Fondit Sovran janë KEK-u, Telekomi, Posta e Kosovës, Trepça, Trainkosi dhe Infrakosi.
Me themelimin e Fondit Sovran do të shuhet Agjencia Kosovare e Privatizimit.