Përgatiti: Donisa Fazliu
Rreth 3 mijë raste të viktimave të trafikimit me njerëz trajtohen brenda vitit në Kosovë. Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme, kategoria më e cenueshme në këtë rast janë fëmijët në situatë rruge.
Derisa në Prishtinë u lansua fushata kundër Trafikimit me Njerëz, Blerim Gashani, i cili është edhe Koordinator Kombëtar Kundër Trafikimit me Qenie Njerëzore, tha se Kosova është i vetmi vend në rajon që ka krijuar bazë të të dhënave të kësaj vepre.
Sipas Kodit Penal të Kosovës, trafikimi cilësohet të jetë njëra prej veprave më komplekse.
“Ky kompleksitet është rezultat i vetë strukturës të veprës penale të trafikimit, sepse në kuadër të kësaj vepre penale ose të kësaj dukurie, janë përfshirë shumë veprime të cilat po të shikohen si të veçanta, paraqesin elemente të shumë veprave të tjera penale”, tha Besim Kelmendi, U.D. i Kryeprokurorit të Shtetit.
Në raportin e këtij viti të Departamentit Amerikan të Shtetit për të Drejtat e Njeriut, Kosova ishte kritikuar që nuk i përmbush standardet minimale për eliminimin e trafikimit ndonëse po bën përpjekje. Por, Kelmendi shtoi se Kosova ka shënuar rezultate në parandalimin dhe luftimin e trafikimit.
“Kosova ka shënuar rezultate të theksuara për parandalimin dhe luftimin e trafikimit me qenie njerëzore, mirëpo, ende ka nevojë për qasje më profesionale dhe konstruktive të të gjitha institucioneve”, tha Kelmendi.
Vetëm këtë të mërkurë, Policia e Kosovës njoftoi se ka identifikuar dy viktima dhe ka arrestuar dy persona nën dyshimin për trafikim me njerëz. A. K., shtetas kosovar, dhe R. K., shtetase e Shqipërisë, janë dërguar në mbajtje.