Sot pas 10 vite negociata, Parlamenti Evropian pritet të votojë dhe të japë vendimin përfundimtar për liberalizimin e vizave për Kosovën.
Pas këtij vendimi, do të mund të lëvizin qytetarët e Kosovës lirshëm për në vendet e Bashkimit Evropian.
Kryetarja e Komisionit për Integrime Evropiane, njëherësh deputete e LDK-së në Kuvendin e Kosovës, Rrezarta Krasniqi, në një prononcim për ATV-në, tha se procesi i liberalizimit të vizave është dashur të përfundojë qysh në vitet 2015-2016, mirëpo sipas saj, partia që sot është në pushtet ia ka humbur Kosovës këtë momentum.
“Kosova ka humbur një momentum historik në vitet 2015-2016, ku partia e cila sot është në pushtet nuk e ka votuar çështjen e demarkacionit me Malin e Zi, ku ka pasur protesta të dhunshme, ka pasur hedhje të gazit lotsjellës në seanca. Partia në pushtet e ka humbu momentumin për liberalizimin e vizave sepse Kosova ka qenë në paku me Gjeorgjinë dhe Ukrainën lidhur me këtë proces që të përfundojë në vitet 2015-2016”, tha Krasniqi.
Ajo tha se tani është optimiste që sot Parlamenti Evropian do t’i japë fund vonesës së padrejtë për heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës.
“Është një proces i stërzgjatur për qytetarët e vendit, mirëpo kanë qenë disa faktorë të cilat kanë ndikuar në këtë proces. Jemi vendi i vetëm në rajon ndaj të cilit është i vonuar ky proces dhe është kërkuar kushte shtesë më shumë se ndaj të gjitha vendeve të tjera në rajon”, tha Krasniqi. /atvlive.tv