Sot për të katërtën herë me radhë do të tentohet të bëhet konstituimi i Komisionit Hetimor Parlamentar në lidhje me procedurat për furnizimin dhe menaxhimin me rezervat shtetërore, keqpërdorimet dhe abuzimet e mundshme me rezervat shtetërore nëpërmjet kualifikimit të procedurës si sekret shtetëror për furnizime të tilla.
Ideja për një komision hetimor lidhur me procedurat për furnizimin dhe menaxhimin me rezervat shtetërore, keqpërdorimet dhe abuzimet e mundshme me rezervat shtetërore ka ardhur nga Lidhja Demokratike e Kosovës.
Por, kundër këtij komisioni hetimor ka dalë lëvizja Vetëvendosje.
Shefja e këtij grupi parlamentar, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë në njërën nga seancat e Kuvendit se peticioni i iniciuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës e i nënshkruar nga 41 deputetë, është hap i ngutshëm.
“LDK-ja ka ndërmarr një hap i cili është hap i ngutshëm sipas Grupit Parlamentar të LVV-së duke dorëzuar në Kuvend kërkesën për themelimin e Komisionit Hetimor Parlamentar lidhur me procedurat për furnizimin dhe menaxhimin me rezervat shtetërore. Megjithatë, disa muaj ma herët në Kuvend dhe në media janë përmendur dyshimet se mund të ketë keqpërdorime me rezervat shtetërore”, ka deklaruar Kusari-Lila.
Sipas saj, ky hetim parlamentar synon të bëjë paralelizëm për diçka që organet e rendit janë të përfshira, ndërsa ka pyetur deputetët nënshkrues të peticionit “A nuk po i besoni Prokurorisë apo e konsideroni veten hetues më të aftë se Prokuroria dhe Policia?”.
Ndërkaq, Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës ka treguar përmes një video mesazhi se kush janë gjashtë deputetët e pozitës të cilët e kanë sabotuar punën e Komisionit hetimor për “rezervat shtetërore”.
Ai tha se vetëm duke mundësuar konstituimin e këtij komisioni, deputetët do të mund të kontribuojnë në heqjen e të gjithave dilemave mbi aferat potenciale korruptive.