Kombëtarja e Shqipërisë ka regjistruar një fitore të madhe ndaj Republikës Çeke dhe tani me një këmbë është në Kampionatin Evropianin e dytë në histori.
Kombëtarja shqiptare shkëlqeu në të gjitha aspektet dhe në fund me meritë mori një fitore të pastër. Ndeshja e zhvilluar në “Air Albania” u mbyll me rezultatin 3:0, shkruan Gazeta Express.
Jasir Asani (9’) dhe Taulant Seferi (51’, 73’) shënuan golat e fitores për “Kuqezinjtë”.
Seferi fillimisht pas ndeshjes tha: “Jam shumë i lumtur për fitoren, pasi ishte një fitore fantastike e mbi të gjitha para gjithë shqiptarëve, por edhe shumë e rëndësishme për Kombëtaren tonë. Jam shumë i lumtur edhe sepse gjeta golin pas shumë kohës me Kombëtaren”.
“Shumica nuk kanë besuar te unë, por falënderoj trajnerin për besimin dhe me ndihmë e zotit ia shpërbleva atij, familjes sime dhe të gjithë shqiptarëve. Unë jam një njeri i thjesht, që i kam parë të gjitha komentet dhe kritikat, por përgjigja ime ishte në fushën e lojës dhe falënderoj Zotin, trajnerin e familjen time”, shtoi futbollisti nga Kumanova.