Përgatiti: Armand Hoti
Nga rreth 95 sa numëron tani, Sllovenia synon ta shtojë numrin e ushtarëve në kuadër të KFOR-it, në të paktën 100, konfirmoi ministri i Mbrojtjes i Sllovenisë.
Kur kaluan mbi dy javë pas sulmit terrorist në Banjskë, situata në veriun e Kosovës, sipas vlerësimeve të NATO-s, vazhdon të jetë e tensionuar.
“Ne kemi parë tensione të shtuara atje, prandaj është e rëndësishme që NATO-ja ka rritur praninë e saj në Kosovë”, tha sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.
Duke përmendur se KFOR-i po pajiset me armatim të rëndë, Admirali Stuart B. Munsch, i Komandës së Forcave të Përbashkëta Aleate në Itali, theksoi se misioni mund të vendoset në gjendje të lartë gatishmërie, nëse kjo kërkohet nga Brukseli.
“NATO-ja po mban forca të mëtejshme të pajisura me armatim edhe më të rëndë, të aftë për fuqi luftarake, në gjendje të lartë gatishmërie, që mund të përcaktohet nëse vendet e NATO-s vendosin ta bëjnë këtë”, tha admirali Munsch.
Por, sipas ekspertit të sigurisë, Nuredin Ibishi, shtimi i trupave dhe armatimit, është parapërgatitje në rast të ndonjë sulmi potencial të radhës.
“Pas një vlerësimi është marrë vendimi për të rritur numrin e kontingjenteve, por edhe armatimit për kundërvënie, në rast të ndonjë rreziku apo kërcënimi të mundshëm, pas kësaj që ndodhi në Banjskë”, tha Ibishi.
Pas sulmeve terroriste në Banjskë, Mbretëria e Bashkuar tashmë ka dërguar një kontingjent prej 200 trupash në Kosovë. Shtete si Rumania e Gjermania kanë paralajmëruar këtë.
Aktualisht pjesë e KFOR-it janë rreth pesë mijë trupa nga 27 vende.