Përgatiti: Arton Hamiti
Shoferi i këtij kamioni e ka të pamundur ngasjen vetëm në korsinë e tij.
Për shkak të rrëshqitjes së dheut, në vendin e njohur si “Kërrshi i Kajushës” përgjatë magjistrales Mitrovicë – Leposaviq, lëvizja në një pjesë të rrugës tash e 1 vit, vazhdon të jetë e kufizuar.
Pavarësisht ndarjes së mjeteve nga Ministria e Financave dhe njoftimit për kontratë të publikuar më 31 tetor të vitit të kaluar, tenderi për rregullimin e kësaj pjese të rrugës akoma nuk është nënshkruar.
Në thirrjen e hapur nga Ministria e Infrastrukturës për sanimin e rrëshqitjes së gurëve, kishin aplikuar gjithsej 13 kompani.
Edhe pse ishin paraparë të shpenzohen 300 mijë euro, kompanitë e interesuara kishin ofertuar me çmime prej 120 mijë, deri në 288 mijë euro.
Pas vlerësimit të ofertave në nëntor të 2022-tës, Autoriteti Kontraktues, në këtë rast, MI-ja kishte rekomanduar kompaninë ERST BAU, për kryerjen e punimeve. Por, pas ankesave kompania në fjalë ishte eliminuar nga gara.
Ndërkohë, pas 4 muajve, Ministria e Infrastrukturës ia dha tenderin dy kompanive që kishin garuar së bashku: Eurokod dhe Mirusha COMPANY.
Edhe ndaj këtij vendimi pati ankesa. Në kundërshtim me afatet ligjore, Organi Shqyrtues i Prokurimit e kishte aprovuar ankesën e kompanisë “Sallahu” dhe kështu më 27 qershor vendosi për anulimin e dhënies së kontratës.
Me vendimin e Gjykatës së Tenderëve, përfaqësues të kompanisë “Eurokod” nuk po pajtohen assesi.
“Vendimi ka qenë skandaloz. Shikojeni vendimin. Nuk e di nëse ka ndonjë bazë”, thuhet në përgjigjen e “Eurokod”.
Në platformën e prokurimit publik të Kosovës, e-prokurimi, Ministria e Infrastrukturës ende nuk ka publikuar ndonjë njoftim pas vendimit të OSHP-së, të muajit qershor, për ta kthyer tenderin në rivlerësim.
Kontakti me Ministrinë e Infrastrukturës në lidhje me këtë çështje, ka qenë i pamundur gjatë dy javëve tentim.