Kombëtarja e Kosovës U17 në konkurrencën e vajzave ka fituar miniturneun kualifikues të Grupi 1 në Ligën B për kualifikimet e Kampionatit Evropian “Suedia 2024”, i cili gjatë ditëve të fundit u organizua nga Federata e Futbollit e Kosovës.
Pas barazimit me Andorrën dhe fitores me Gjeorgjinë, vajzat dardane shënuan fitore në ndeshjen e tretë dhe përcaktuese për pozitën e parë ndaj Maqedonisë së Veriut, me rezultat 2:1, në ndeshjen e zhvilluar në stadiumin “Fadil Vokrri”.
Të parat në epërsi kaluan mysafiret me golin e Kalina Popeski, në minutën e 10-të. Megjithatë, baraspeshën në rezultat e riktheu Rita Feka, në minutën e 27-të (1:1), me të cilin rezultat edhe u mbyll pjesa e parë. Në pjesën e dytë Dardanet ishin edhe më këmbëngulëse drejt portës mysafire, të vetëdijshme se vetëm fitorja kryente punë, pasi Maqedonia e Veriut në dy ndeshjet e para kishte shënuar fitore.
Punët për të përzgjedhurat e Sanije Krasniqit u lehtësuan pas përjashtimit të Komnenovës në minutën e 68-të. E këtë epërsi numerike në fushë Dardanet e kapatializuan në minutën e 84-t, me golin e Liza Hoxhës, duke vulosur fitoren në këtë ndeshje, me shifrat 2:1.
“Kjo fitore na dërgon në Ligën A ku do të ndeshemi me kundërshtar shumë më të fortë. Jam shumë e lumtur për lojën që e kanë bërë vajzat dhe rezultatin pasi që në dy ndeshjet e para kemi stagnuar edhe pse kemi arritur rezultate, një barazim dhe një fitore, mirëpo sot me kundërshtarin i cili i ka pas dy fitore kemi treguar një lojë shumë të mirë ofanzive, ku arritëm deri te fitorja shumë e rëndësishme.”, tha pas ndeshjes trajnerja Sanije Krasniqi.