Komandanti i KFOR-it paralajmëron përforcime shtesë

Përgatiti: Fatlum Jashari

Destabilizimi, sipas komandantit të KFOR-it, Angelo Michele Ristuccia, ishte qëllimi i sulmit terrorist në Banjskë, më 24 Shtator.

Ai theksoi se sulmi ndaj KFOR-it, më 29 maj, dhe ndaj Policisë, para 12 ditësh, konfirmojnë situatën e paqëndrueshme në veri të Kosovës dhe lehtësinë e përshkallëzimit.

“Ne e dënojmë plotësisht sulmin ndaj Policisë së Kosovës, sepse është absolutisht i papranueshëm. Së dyti, me siguri, me sa dimë dhe duke pasur parasysh cilësinë dhe sasinë e pajisjeve të konfiskuara nga Policia e Kosovës, me siguri qëllimi i kryerësve të këtij krimi, qëllimi i sigurt, është që të krijojnë paqëndrueshmëri, të rrisin destabilitetin dhe kaosin, kjo është e sigurt”, tha komandant i KFOR-it, Angelo Michele Ristuccia.

Përveç njoftimit se po e hetojnë keqpërdorimin e logove të KFOR-it nga terroristët, Ristuccia nuk dha përgjigje të prerë për atë se si u fut në Kosovë arsenali i armëve e municionit të konfiskuar nga Policia.

“Është shumë herët të thuhet se nga janë futur këto armë në Kosovë. Gjithsesi, ne jemi të pranishëm në veri të Kosovës si dhe përgjatë… dhe veprojmë në përputhje me mandatin tonë, pa u ngarkuar me detyra nga subjekte të tjera… Ekziston një marrëveshje teknike ushtarake, e cila përcakton qartë se kush duhet të bëjë çfarë, ka edhe aktivitete teknike dhe procedurale që ne i kryejmë dhe sigurisht që bëjmë maksimumin për t’i kryer këto aktivitete. Sigurisht që terreni këtu, ju e dini më mirë se unë, sepse jetoni këtu në Kosovë, terreni është kompleks, nuk është aq e lehtë të kontrollosh të gjithë terrenin dhe të gjithë vijën kufitare, por ne po bëjmë maksimumin”, tha Michele Ristuccia.

Pasi konkludoi se zgjidhja e vetme e qëndrueshme mund të arrihet në dialog, ai foli për veprimet e ndërmarra nga NATO-ja.

“Në dritën e zhvillimeve të fundit, KFOR-i ka rritur praninë dhe aktivitetin e tij në veri të Kosovës, dhe Këshilli i Atlantikut të Veriut, ka autorizuar vendosjen e forcave shtesë për ta adresuar situatën. Trupat janë tërhequr nga rezervat strategjike të NATO-s për Ballkanin Perëndimor. Mbretëria e Bashkuar po vendos trupa shtesë dhe zbatimi i mëtejshëm do të vazhdojë së shpejti edhe nga aleatët e tjerë, duke përfshirë Rumaninë”, tha Michele Ristuccia.

Komandanti Ristuccia konfirmoi se më 24 Shtator, ishte në koordinim, me siç u shpreh “të gjitha palët”. Javën e ardhshme, ushtaraku italian do t’ia dorëzojë detyrën e komandantit të KFOR-it gjeneralit turk, Ozkan Ulutash.

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_img

LAJME TË TJERA