PSRK s’pajtohet me vendimin e Apelit, për ndërprerjen e masës së paraburgimit ndaj tre të dyshuarve

Përgatiti: Nora Luta

Prokuroria Speciale e Kosovës nuk është pajtuar me vendimin e Apelit, për ndërprerjen e masës së paraburgimit ndaj tre të dyshuarve për keqpërdorim me rezervat shtetërore.

PSRK-ja ka paraqitur kërkesë në Gjykatën Supreme për mbrojtje të ligjshmërisë, si mjet i jashtëzakonshëm juridik.

Burimet i kanë thënë televizionit se Prokuroria Speciale e konsideron të kundërligjshëm dhe skandaloz lirimin e tyre nga paraburgimi. Sipas tyre, prokuroria po zhvillon hetime intensive dhe është në fazën e ekzaminimit të të gjitha provave të sekuestruara, nga bastisjet në Ministrinë e Industrisë dhe Tregtisë.

Kërkesën e PSRK-së, Gjykata Supreme e ka pranuar më 29 shtator.

“Në Gjykatën Supreme, me datë 29.09.2023, është pranuar kërkesa për mbrojtje të Ligjshmërisë e ushtruar nga Prokurori i Shtetit, ndaj vendimit të Gjykatës së Apelit. Kjo lëndë është në punë që nga data 03.10.2023”, tha Antigona Uka – lutfiu, udhëheqëse e Zyrës për Informim dhe Komunikim me Media në Gjykatën Supreme.

Por, për një kërkesë të tillë nuk është ende në dijeni mbrojtja. Avokati i Ridvan Muharremit, Mahmut Halimi, thotë se nuk pasur bazë ligjore që të dyshuarit të mbahen në paraburgim.

Para një muaji, Gjykata e Apelit i kishte pranuar ankesat e mbrojtjes si të bazuara, duke vendosur që Hafiz Gara, Irfan Lipovica dhe Ridvan Muharremi të lirohen për t’u mbrojtur në liri.

Apeli kishte konsideruar se gjykata nuk ka arritur ta vërtetojë dyshimin e bazuar së të pandehurit kanë kryer veprat penale për të cilat dyshohen.

Dy zyrtarët e Ministrisë së Industrisë dhe Tregtisë, Hafiz Gara e Irfan Lipovica, dyshohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare, ndërsa biznesmeni Ridvan Muharremi, i përfolur në publik për afërsi me Vetëvendosjen, dyshohet për ndihmë në kryerjen e kësaj vepre penale.

Ata ishin arrestuar në gusht, gjatë një aksioni të Policisë, nën dyshime se në kundërshtim me procedurat ligjore, sasi e madhe e miellit dhe vajit është paguar pa u pranuar produktet.

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_img

LAJME TË TJERA