Përgatiti: Arton Hamiti
Për herë të parë, samiti i Procesit të Berlinit do të mbahet jashtë kufijve të Bashkimit Evropian. Kryeqyteti shqiptar, Tirana, më 16 tetor, pret presidentin e Francës, Emmanuel Macron, kancelarin gjerman, Olaf Scholz, dhe liderët e rajonit.
Pjesëmarrjen e ka konfirmuar edhe Qeveria e Kosovës.
Masat ndëshkuese të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës, sipas këshilltarit të kryeministrit Albin Kurti, nuk kanë ndikim në Samitin e Tiranës.
Fakti që iniciativa rajonale e njohur si “Ballkani i Hapur” është zbehur, mund të ndikojë që Procesi i Berlinit të shihet si adresa e vetme për gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor.
Procesi i Berlinit ka nisur në vitin 2014 me iniciativën e kancelares së atëhershme gjermane, Angela Merkel.
Qëllimet kryesore të këtij procesi janë: përmirësimi i bashkëpunimit rajonal dhe integrimi evropian i rajonit të Ballkanit Perëndimor.
Njëra nga tri marrëveshjet për lëvizjen e lirë, të cilat u nënshkruan vitin e kaluar si pjesë e procesit të Berlinit, i referohet lirisë së lëvizjes vetëm me letërnjoftime në Ballkanin Perëndimor, marrëveshje e bllokuar nga Bosnja e Hercegovina.
Dy të tjera, janë për njohjen e diplomave të arsimit të lartë dhe për njohjen e kualifikimeve profesionale të doktorëve të mjekësisë, doktorëve të stomatologjisë dhe arkitektëve.