Përgatiti: Armand Hoti
Pas sulmit terrorist në Banjskë ndaj Policisë së Kosovës, shumë shtete të cilat kanë trupa në vend, në kuadër të KFOR-it, njoftuan se do ta rrisin numrin e tyre.
Së fundi, Rumania, në kuadër të misionit paqeruajtës të NATO-s, pritet të sjellë rreth 100 trupa shtesë në Kosovë.
“Rumania do të vendosë, në të ardhmen e afërt, një njësi të vogël në nivel kompanie, si pjesë e rezervës strategjike të vendosur, në dispozicion të SACEUR-it, në kuadër të operacionit të NATO-s, KFOR, të zhvilluar në Kosovë. Rumania, si një aleat i NATO-s dhe vend anëtar i BE-së, ka marrë përsipër angazhimin për të kontribuar me forca dhe pajisje ushtarake në përpjekjen për të ruajtur një mjedis të qëndrueshëm të sigurisë në rajonin e Ballkanit Perëndimor”, thotë ambasadori i Rumanisë në NATO, Dan Neculaescu.
Ndonëse, preferon që trupat shtesë të vijnë nga vende njohëse të Kosovës, Mentor Vrajolli nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë, thekson se shtimi i tyre mund të jetë i dobishëm.
“Mendoj që shtimi i trupave të KFOR-it do t’i ndihmonte Policisë së Kosovës në asistim në vijën kufitare. Shtimi i trupave të KFOR-it ndërlidhet me atë që po ndodh në anën tjetër të kufirit, pasi nga andej hyri gjithë ai armatim”, tha Vrajolli.
Por, ka edhe skepticizëm ndaj paanshmërisë së trupave rumune.
“KFOR-i rumun nuk gëzon respekt te qytetarët e Kosovës, pas dyshimeve që KFOR-i rumun në kuadër të UNMIIK-ut, nuk është i mirëpritur në Kosovë, pavarësisht se është nën komandë të NATO-s. Ka shtete të tjera që do mund t’i dërgonin trupat e tyre”, tha eksperti i sigurisë, Avni Islami.
Zëdhënësi në detyrë i NATO-s, Dylan White, pa dhënë detaje, në një përgjigje për ATV-në konfirmoi se pas angazhimit të trupave britanike, edhe ushtarë të vendeve të tjera aleate, do të dislokohen në Kosovë.
“Mbretëria e Bashkuar po vendos rreth 200 ushtarë nga Batalioni i Parë i Regjimentit Mbretëror të Princeshës së Uellsit, për t’iu bashkuar një kontingjenti prej 400 trupash të Mbretërisë së Bashkuar, që tashmë po ushtrohet në Kosovë, dhe përforcime të mëtejshme do të pasojnë nga aleatët e tjerë”, thotë zëdhënësi i NATO-s, Dylan White.
Aktualisht në Kosovë, në kuadër të KFOR-it operojnë mbi 70 trupa rumune.
Kurse, momentalisht KFOR-i numëron mbi pesë mijë trupa, nga 27 vende aleate.
Më së shumti ushtarë, në kuadër të KFOR-it në Kosovë ka Italia, me rreth 850 sosh.