Serbia po ndërton një bazë ushtarake në afërsi të kufirit me Kosovën

Përgatiti: Armand Hoti

Në afërsi të kufirit me Kosovën, Serbia po ndërton një bazë ushtarake.

Këtë e konfirmoi kryetarja e Komisionit për Mbikëqyrjen e Agjencisë Kosovare të Inteligjencës, Ganimete Musliu, pas takimit me shefin e AKI-së, Petrit Ajeti.

Musliu ka vlerësuar se gjendja e sigurisë në vend nuk është stabile.

“Në zonën e njohur si Rogazin, në afërsi të Izvorit është duke u ndërtuar një bazë ushtarake serbe, me mbulesë nga ana e serbëve, kinse në atë ndërtesë po bëhet trajtimi i mineraleve të zonës. Mirëpo, pamjet me dron i kanë konfirmuar burimet dhe tashmë është e qartë se atje po bëhet një zonë ushtarake. Ajo çka vlen të theksohet se gjendja e sigurisë është e brishtë, pra është e tensionuar”, tha Musliu.

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, është shprehur të hënën se trupat ushtarake të Serbisë, duhet të tërhiqen nga vija kufitare me Kosovën.

“Gjithashtu, kemi vërejtur pozicionimin e ushtrisë serbe në linjën kufitare me Kosovën dhe kjo duhet të ndalet menjëherë. Krejt kjo duhet të ndalet. Ky ka qenë mesazhi i përfaqësuesit për politikë të Jashtme për të dyja vendet, sepse nuk ka vend për armë dhe shtim të forcave të sigurisë në kontinentin evropian”, tha Stano.

Deputetja Musliu pas takimit të Komisionit që drejton, me të parin e AKI-së, ndau detaje të reja sa i takon rrugës ilegale që sulmuesit ndoqën, për të mbërritur në Banjskë të Zveçanit.

“Grupi terrorist është nisur pas mesnatës, duke shfrytëzuar rrugën ilegale në afërsi të pikës kufitare në Izvor, pika më e afërt në fshatin Banjskë të komunës së Zveçanit”, tha Musliu.

Kurse, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, potencoi se pret që përmes faktorit ndërkombëtar, terroristët që u larguan në Serbi, t’u dorëzohen autoriteteve të Kosovës.

“Tani po llogarisim në presionin e bashkësisë ndërkombëtare që këta kriminelë dhe terroristë t’iu dorëzohen autoriteteve tona të sigurisë dhe drejtësisë. Serbia përmes bashkësisë ndërkombëtare duhet t’ia dorëzojë Kosovës këta anëtarë të tjerë që nuk u vranë dhe nuk u arrestuan për të vuajtur dënimin, pas dorëzimit dhe pas procesit gjyqësor, sepse ata janë padyshim terroristë, janë njerëz që kanë sulmuar me armë të rënda dhe në këtë mënyrë tentuan destabilizimin e Kosovës. Ata dështuan në këtë, por kjo nuk do të thotë se nuk duhet të përballen me drejtësinë”, tha Kurti.

Ndërkaq, në fjalën e tij, zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, është shprehur se institucionet e Kosovës kanë kompetenca të plota ta hetojnë sulmin terrorist të 24 shtatorit në Banjskë. Sipas tij, BE-ja për hetimin e rastit pret bashkëpunim pa kushte nga ana e Serbisë.

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_img

LAJME TË TJERA