Kuvendi i Kosovës nuk ka pasur kuorum të mjaftueshëm për të votuar projektin për ratifikimin e Marrëveshjes së financimit në mes të Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Investime për projektin “Rehabilitimi i linjës hekurudhore 10 B”.
Vetëm 72 deputetë kanë marrë pjesë në votim, që është numër i pamjaftueshëm sa i përket votimit të marrëveshjeve ndërkombëtare.
Në votim nuk kanë marrë pjesë deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës dhe ata të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës e ka mbështetur këtë marrëveshje.
Derisa ka kërkuar votuat e deputetëve, ministri i Financave, Hekuran Murati, ka treguar se projekti ndahet në tri faza dhe ndër të tjera përfshinë rinovimin e binarëve dhe riparimin e tuneleve.
“Projekti i rehabilitimit të linjës hekurudhore 10, i cili projekt do të lejojë operimin e kësaj hekurudhe deri në 100 km/h në shumicën e seksioneve të linjës në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian. Projekti është i ndarë në tri faza, faze e parë është nga Hani i Elezit në Fushë Kosovë, faza e dytë nga Fushë Kosova në Mitrovicë dhe faza e tretë është nga Mitrovicas në Leshak, dhe përfshinë rinovimin e binarëve, riparimin e tuneleve dhe urave dhe instalimin pajisjeve të telekomunikacionet”, tha ai.
Ndërsa shefi i deputetëve të PDK-së, Abelard Tahiri, ka thënë se nuk ja vlen të votohen marrëveshje të tilla në kohën kur Kosovës i janë vendosur masa nga Bashkimi Evropian.
“Kjo javë është edhe java e Kombeve të Bashkuara, ku gjithë liderët nga mbarë bota marrin pjesë në javën e Kombeve të Bashkuara, përderisa Republika e Kosovës e ka një kryeministër të izoluar i cili pothuajse është prej të vetmëve nga vendet e Evropës dhe Ballkanit Perëndimor i cili nuk merr pjesë. Pra jemi vend i sanksionuar, jemi vend që po izolohemi çdo ditë e më tepër dhe nuk ka kurrfarë kuptimi të marrim pjesë në votimin e kësaj marrëveshje”, tha Tahiri.
Në anën tjetër, deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, është shprehur kritik ndaj qeverisë së i përket masave të BE-së por ka bërë te ditur se deputetët e kësaj partie e mbështesin këtë marrëveshje ndërkombëtare.
“Ne si grup parlamentar e mbështesim këtë marrëveshje ndërkombëtare, ky projekt ka shtatë-tetë vite që ka nisur të realizohet, më vjen mirë që po shkon drejt finalizimit së paku pjesës së financimit. Dëgjova kryetari ne komisionit për buxhet që bëri thirrje që ta votojmë të lëmë anash pezmin, ne e kemi pezmin me mënyrën si jeni duke e menaxhuar vendin, si i keni sjell sanksionet, por nuk kemi pezëm me projektet e rëndësisë kombëtare”, tha Hoti.
Pas dështimit në votim, kjo pikë e rendit të ditës është bartur në seancën e ardhshme.
Në këtë seancë ka dështuar të miratohet edhe propozim-rezoluta për punën 2 vjeçare të qeverisë. Në seancën plenare për këtë rezolutë kanë votuar 19 deputetë, 49 kundër dhe tre të tjerë kanë abstenuar.
Kjo rezolutë ishte hartuar në prill të këtij viti.
Para hedhjes në votim të kësaj rezolute, shefi i grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, tha se vazhdon problemi me zhvillim ekonomik si dhe saga me dialog.
“Ne më 21 shkurt në muajin e dytë të këtij viti kemi kërkuar që të debatohet për prioritetet e kësaj qeverie, fatkeqësisht asgjë nga rezoluta jonë që është ngritur nuk është arrit, vazhdon problemi me zhvillim ekonomik, vazhdon dështimi total i ligjit të pagave, vlerës së koeficientit, vazhdon saga me dialog”, ka thënë Tahiri./KosovaPress