Përgatiti: Armand Hoti
Kosova duhet të gjejë zgjidhjen më të shpejtë që do të mundësonte organizimin e zgjedhjeve të parakohshme, në katër komunat veriore të Kosovës. Kështu u deklarua Bashkimi Evropian përmes një komunikate të publikuar në mëngjesin e së martës.
“BE-ja rikujton rëndësinë e mbajtjes së shpejtë të zgjedhjeve të parakohshme lokale në veri të Kosovës, për të ndihmuar në zbutjen e tensioneve. Është e nevojshme zgjidhja më e shpejtë për të mundësuar shpalljen e zgjedhjeve. Ne inkurajojmë serbët e Kosovës që të angazhohen plotësisht në procesin zgjedhor dhe të deklarojnë publikisht pjesëmarrjen e tyre të pakushtëzuar”, thuhet në komunikatën e BE-së.
Por, ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, vazhdon të insistojë se peticioni i iniciuar nga qytetarët, siç parashihet edhe në udhëzim administrativ, është ajo çfarë Qeveria e Kosovës ofron për mbajtjen e zgjedhjeve.
Megjithatë, ministri Krasniqi tha se ende nuk ka nisur ndonjë iniciativë e tillë në veri të vendit.
“Deri tani nuk kemi pranuar ndonjë informacion që ka nisë ndonjë peticion për largimin e kryetarëve. Mirëpo, kjo është pjesa e qytetarëve dhe këtë nuk mund ta komentoj. E rëndësishme ka qenë vullneti i Qeverisë së Kosovës që t’i përmbushë të gjitha obligimet e saj edhe nga diskutimi i fundit në Bratisllavë”, tha Krasniqi.
Kurse, sa i takon dorëheqjes së kryetarëve, ai përsëri tha se kjo është kërkesë e Beogradit zyrtar.
“Nuk ka asnjë autoritet që mund të kërkojë dorëheqjen, ai është akt moral. Unë kam vazhdueshëm takim me kryetarët e komunave, ata e kanë mbështetur procesin e peticionit dhe mendoj se kjo është demokracia dhe ne duhet të përkujdesemi për demokracinë e jo për dëshirat e kujtdo qoftë. Dorëheqja e kryetarëve është kërkesë e Beogradit, ne nuk jemi këtu që të brengosemi se çka mendon e çka kërkon Beogradi”, tha Krasniqi.
Teksa mbështet opsionin e dorëheqjes së kryetarëve, politologu Fidan Ukaj thotë se zvarritja e procesit të mbajtjes së zgjedhjeve në komunat veriore, bart pasoja për Kosovën.
“Unë mendoj që është një humbje kohe, për arsye se masat po e dëmtojnë Kosovën. Dhe duket se BE-ja është e vendosur rreth plotësimit të kushteve dhe kritereve të saj, unë besoj që pa plotësimin e kushteve masat do të jenë në fuqi”, tha Ukaj.
Në një intervistë për Zërin e Amerikës, i dërguari i ShBA-së për Ballkanin Perëndimorë, Gabriel Escobar, deklaroi qartë se rruga më e shpejtë dhe e lehtë për zgjedhjet e reja do të ishte dorëheqja e kryetarëve shqiptarë në komunat veriore.