Keqtrajtimi i trevjeçarit në çerdhe, ndalohen dy edukatore për 48 orë

Përgatiti: Arian Hajdaraj

Masa e ndalimit prej 48 orëve u është shqiptuar dy prej 3 edukatoreve të dyshuara për keqtrajtimin e një fëmije 3 vjeç. Sipas njoftimit të Policisë, në ndalim janë N. M, 64 vjeçe dhe N. H 56 vjeçe.

Keqtrajtimi i trevjeçarit dyshohet të ketë ndodhur në çerdhen publike të Fushë Kosovës, “Gëzimi ynë.” Videon e publikoi xhaxhai i fëmijës e mëngjesin e së martës, institucionin arsimor e vizituan hetues policorë e inspektorë të Ministrisë së Arsimit.

Por, rastin në Polici e denoncoi nëna e trevjeçarit.

“Jam mami. Sapo e përfundova deklaratën time në Polici, jam shumë e stresuar emocionalisht. Drejtësia vlen”, tha nëna e fëmijës, Fitore Geci.

“Siç është parë në video, punëtoret e kopshtit kanë kryer vepër penale. Pos kësaj, është dashur të denoncojnë këtë rast, edhe pse drejtoria e kopshtit ka qenë konstruktive dhe komuna e Fushë-Kosovës paralajmëroi se do të marrë vendime për punonjëset”, tha avokati i familjes Geci, Nasuf Hasani.

Pas përfundimit të punës në objekt, hetuesit policorë sekuestruan pamjet e kamerave derisa inspektorët e MASHTI-t nuk u deklaruan.

Njëkohësisht në Stacionin Policor po bëhej intervistimi i tri edukatoreve të përfshira në rast.

“Akuzë nuk ka ende, ajo po akuzohet për sjellje jo të mirë e që nuk është e vërtetë. Është një punëtore që punon qe 24 vjet në këtë institucion dhe që nuk ka qenë në asnjë procedurë gjyqësore. Unë i kam shikuar pamjet dhe ajo fillimisht është ndalesë që të mos dalë jashtë dhe nuk ishte duke e përballuar vendosjen në çerdhe”, tha Bajram Zogiani, avokat i N.M.

Megjithatë, deri në zbardhjen e rastit dhe ndërmarrjen e veprimeve tjera, Policisë i duhet ende kohë.

“Aktualisht zyrtarët policorë po vijojnë punën për mbledhjen e të gjitha provave që janë të arritshme, intervistimin e personave që në çfarëdo rrethane dhe çfarëdo cilësie kanë mundur të jenë të implikuar në rast, po shqyrtohen raportet mjekësore, pamjet e publikuara si dhe po analizohen ato”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

Derisa ngjarja ngjalli reagime të shumta trajtim serioz të rastit premtuan ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci dhe drejtori i Arsimit në Komunën e Fushë Kosovës, Fatlum Berisha.

“Ne jemi në proces të rekrutimit të 20 inspektorëve, ka përfunduar procedura. Janë në proces të shqyrtimit të ankesave eventuale dhe pas këtyre 20 inspektorëve do të vazhdojë menjëherë punësimi i së paku edhe rreth 20 të tjerë”, tha Nagavci.

“Do t’i ndërmarrim të gjithë hapat konform ligjeve në fuqi…”, tha Berisha.

Drejtoresha e kopshtit, megjithatë, nuk pranoi të deklarohej por prindër të tjerë janë të shqetësuar me atë çfarë ndodhi.

“Femijën tem kanë dashtë me ma largu vec pse ka qenë hiperaktiv…”, tha Mimoza Gjurkaj, prind.

Kopshti “Gëzimi ynë” ku dyshohet se u keqtrajtua trevjeçari është i vetmi institucion publik parashkollor në Fushë Kosovë.

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_img
spot_img

LAJME TË TJERA