Përgatiti: Krenare Mulliqi
Me 12 vjet burgim unik është dënuar Iran Badalli, në shtëpinë e të cilit ishte gjetur eksploziv. Si pasojë e shpërthimit të një pjesë të eksplozivit, kishte mbetur i vdekur një polic, teksa ishin lënduar disa të tjerë.
Ai u gjet fajtor për dy vepra penale, “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm” dhe “armëmbajtje pa leje”. Për të njëjtat vepra penale u dënua edhe i akuzuari i dytë Arben Gashi, me 12 vjet burg unik.
Por, dënimi u konsiderua i ulët nga avokati i familjes së policit Sami Thaçi, i cili kishte vdekur si pasojë e shpërthimit.
Ankesë do të parashtrojë edhe avokati i policit të lënduar rëndë në këtë shpërthim, Artur Mrasori.
Por, ndryshe mendojnë familjarët e Iran Badallit, të cilët vendimin e quajtën skandaloz.
Ndërkaq, në oborrin e Gjykatës ndodhi edhe një përplasje verbale mes dy palëve, ku u nevojit edhe ndërhyrja e policisë.
Rasti kishte ndodhur në janar të vitit 2020, derisa sa po kryhej një bastisje në shtëpinë e Iran Badallit në fshatin Zhur të Prizrenit, pas një thirrje për dhunë në familje. Aty njësitet policore kishin hasur në eksploziv, një pjesë e të cilit kishte shpërthyer në duar të policit Sami Thaçi, i cili kishte mbetur i vdekur, ndërsa të plagosur mbetën polici Artur Mrasori dhe disa të tjerë, përfshirë edhe djalin e Badallit.
Sipas aktakuzës, Badalli së bashku me Arben Gashin, ishin furnizuar me eksploziv nga i akuzuari Valbon Çollaku, i cili e kishte pranuar fajësinë për import, prodhim ose shitje të armëve apo materialit plasës, dhe Gjykata në Prizren i kishte shqiptuar dënim me gjobë në shumë prej 1.000 euro dhe dënim me kusht në kohëzgjatje prej 6 muajve.