Përgatiti: Driton Sadiku
Për të tretin muaj me radhë, naftëtarët mesatarisht fitojnë nga 20 deri në 30 centë për litër naftë.
Çmimi mesatar i importit në 18 ditët e para të muaji, sipas të dhënave të doganës, llogaritet të jetë 1 euro e 20 centë, përfshirë edhe taksat.
Megjithatë, në disa pompa, çmimi i naftës arrin në 1.58 centë për litër, apo 38 centë më shtrenjtë se mesatarja e importit.
Ngjashëm ishte edhe në muajin gusht, kur një litër naftë shitej me çmim prej 1 euro e 49 centësh apo 21 centë më shtrenjtë se mesatarja e importit që ishte 1.28 centë.
Edhe korriku ishte pothuajse i njëjtë. Rreth 27 centë fitonin naftëtarët në një litër, teksa mesatarja e importit sillej rreth 1.16 centë e shitej me 1.43 centë.
Në raste të tilla, sipas ish-ministrit të Tregtisë e Industrisë, Ismet Mulaj, do të duhej reaguar shteti me mekanizmat e tij.
“Autoriteti i Konkurrencës dhe Ministria e Tregtisë, përmes inspektoratit të tregut do të duhej që të hetoheshin a ka ndonjë marrëveshje mes bizneseve të mëdha, që të mbajnë çmime të larta, ose të mbajnë çmime në kundërshtim me ligjin dhe që shkojnë në dëm të tregut në Kosovë”, tha Mulaj.
E nga autoriteti i Konkurrencës, përmes telefonit thanë se janë duke e monitoruar situatën nëse ka marrëveshje mes naftëtarëve për rritje të çmimit të naftës.
Por ani pse janë plot 3 muaj që çmimet janë të larta, ende nuk ka diçka konkrete.
Kësisoj, sipas Mulajt, mundësi tjetër është edhe vendosja e çmimit tavan.
“Ministria e Tregtisë përmes një udhëzimi administrativ ka mundësi që të vendosë çmime tavan, nëse heton që kompanitë e mëdha kanë krijuar marrëveshje dhe këto marrëveshje në mënyrë jo të drejtë i mbajnë çmimet e larta në Kosovë”, tha Mulaj.
Megjithatë, një masë e tillë ishte vendosur muajin e kaluar nga ana e Ministrisë por që ka skaduar, dhe nga kjo ministri nuk treguan nëse të njëjtën do ta vendosin prapë.
Ndërkaq, në anën tjetër, Shoqata e naftëtarëve rritjen e çmimeve e arsyeton me rritjen në bursë, pa e komentuar fitim enorm.