Molliqaj: ZPS po e ndjek UÇK-në, jo krimet në Kosovë

Veteranë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë protestuar para bazës së EULEX-it në Fushë Kosovë, për të kundërshtuar bastisjet e Speciales të kryera ditët e fundit në Kosovë.

Ata në bashkërendim edhe me Partinë Social Demokrate, ndonëse kjo e fundit nuk ka dhënë ndonjë njoftim zyrtar, përmes një aksioni simbolik, kanë hedhur telefona pranë kësaj baze.

Kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj, në një prononcim për ATV-në, tha se ajo që ndodhi ditëve të fundit, sipas tij, ka qenë një plaçkitje e paligjshme e pronave të luftëtarëve të lirisë në Kosovë, e cila ka ndodhë nga Gjykata Speciale.

“Sa herë që një organ që është i thirrur për të vendosur drejtësi dhe ka të pamundur për të bërë një gjë të tillë, atëherë fillojnë përndjekjet e stigmatizimet. Ajo që ka ndodhë ditëve të fundit ka qenë një plaçkitje e paligjshme e pronave të luftëtarëve të lirisë në Kosovë, e cila ka ndodhë nga Gjykata Speciale ose Dhomat e Specializume nën pretekstin për të vendosur drejtësi e për të penguar padrejtësinë që mund të bëjnë ushtarët e UÇK-së. Tani ata i kanë të gjitha provat, i kanë të gjitha materialet, por nuk po mund të vendosin asgjë kundër ushtarëve të UÇK-së”, tha Molliqaj.

Molliqaj tha se këto veprime të Gjykatës Speciale ndaj ushtarëve të UÇK-së po ndodhin ën frymën e Qeverisë së Kosovës.

“Gjithë kjo po ndodh në frymën e Qeverisë së Kosovës, e cila është qeveri e vetmja që nuk i ka ngritur të hyrat për invalidët e luftës, nuk i ka ngritur të hyrat për familjarët e dëshmorëve, nuk i ka ngritur ose i ka përjashtuar nga paga minimale veteranët dhe më e zeza prej të gjitha këtyre, ose më e rënda është që, siç edhe e dini nuk i ka financuar as protezat për invalidët e luftës. Nuk është e rastësishme kjo. Nuk ka ndodhë asnjëherë nga asnjë qeveri një veprim i tillë çfarë kjo qeveri po e bën. Prandaj, kemi sulm të drejtpërdrejtë nga Dhomat e Specializume për t’i shantazhuar ushtarët e UÇK-së dhe kemi heshtje edhe denigrim të dinjitetit të kategorive të dalura nga lufta. Besoj që ky është një koordinim i dyanshëm, i dëmshëm dhe i rrezikshëm për ata që ne e quajmë vlerën sublime të shtetit të Kosovës, që është Ushtria Çlirimtare e Kosovës”, tha Molliqaj.

Ai tha se ZPS po e ndjekë UÇK-në dhe jo krimet në Kosovë.

“Nuk është çështje e koordinimit formal dhe marrëveshjes, është çështje e frymës. ZPS-ja po e ndjek UÇK-në, jo krimet në Kosovë. Po i përndjek komandantët e ushtarët e saj, duke ua konfisku pronat e tyre në mënyrë të paligjshme dhe të dhunshme. Ju e dini se siç janë ligjet për konfiskime tilla. Nuk bëhet ashtu siç shkojsh në kafe me ia ngjit telefonin. Nuk është e lejuar asnjëherë. Fillimisht duhet të njoftohet personi, kush janë ata, pse po duan, pastaj përmes procesverbalit konfiskohet telefoni, nuk konfiskohet në mënyra klandestine, ndërsa atë që e thashë, po e përsëris prapë, më thoni ju cilës kategori në Kosovë nuk ju ka arritur paga. Unë t’i përmenda tri prej tyre. Ato janë familjet e dëshmorëve, invalidët e luftës dhe veteranët janë përjashtu. Dhe mos harroni asnjëherë, që tri vite nuk janë nda fundet për proteza. Nëse veteranët na qenkan të rrejshëm, a janë dëshmorët të rrejshëm? Nëse veteranët na qenkan të rrejshëm ndonjë prej tyre, a janë familjet e dëshmorëve dhe invalidët që kanë proteza të rrejshëm. Pra nuk ka të bëjë me veteranë të rrejshëm, ka të bëjë me përndjekje të kësaj kategorie që po i bëhet nga Qeveria e Kosovës”, tha Molliqaj.

Ndërsa, kryetari në detyrë i Shoqatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Faton Klinaku, në fjalimin e tij para protestuesve, tha se as ZPS as EULEX-i nuk mund t’ua marrë telefonat, pasi sipas tij, për këtë është Policia e Kosovës që mund ta bëjë këtë nëse është e nevojshme.

“Zyra e Prokurorit të Specializuar e as EULEX-i s’mund të na marrë (telefonat), këtu është Policia e Republikës së Kosovës, jemi shtet. Nëse këta kanë nevojë për telefonat tonë, e bëjnë policia e jonë një shkresë edhe thonë na duhet telefoni për ta konfiskuar, për të hetuar, se s’kanë çka hetojnë. Unë kam tregu që ne flasim në telefona, qofshin ata të thjeshtë apo inteligjentë, ata vazhdimisht janë duke na përgjuar dhe s’kanë nevojë me na i konfisku telefonat sikur hajnat e kriminelët, sepse ka raste kur njerëzve iu kanë shku në tavolina duke pirë kafe, pa i thënë asgjë ia kanë kapë telefonin. A është normale kjo. Prandaj, ne si organizues të kësaj proteste, kemi mëndu që t’ju japim këtyre telefona nëse ju duhen”, tha Klinaku. /atvlive.tv

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_img

LAJME TË TJERA