Në prag të takimit ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i dërguari amerikan për Ballkanin, Gabriel Escobar, ka thënë se pret nga palët që të marrin seriozisht detyrimet e tyre, të dala nga marrëveshja gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve, dhe të fillojnë përmbushjen e tyre për të shënuar përparim në zbatimin e saj. Takimi mes dy udhëheqësve do të mbahet të enjten në Bruksel, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, pas disa muajsh tensionesh dhe përshkallëzimi në Kosovë.
Në një intervistë për “Zërin e Amerikës”, Escobar ka thënë se nuk ka marrë zotim nga kryeministri Kurti për zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit. Sipas tij, zotim ka vetëm për të shkuar në Bruksel për takim, por jo për zbatim të marrëveshjes.
Zëvendësndihmës Sekretari amerikan i Shtetit, Gabriel Escobar ka thënë se “Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të mbështesin fuqishëm dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian si mënyrë për të arritur një marrëdhënie paqësore dhe frutdhënëse ndërmjet dy vendeve”.
“Do të donim t’u kërkonim palëve t’i marrin seriozisht detyrimet e tyre nga kjo marrëveshje dhe të fillojnë të përparojnë me përmbushjen e detyrimeve ekzistuese dhe të mëparshme nga dialogu dhe nga marrëveshja dhe të fillojnë të shënojnë përparim këtë vit”, ka thënë ai.